Adio Ranieri! Ikën italiani, drejtimin e Vllaznisë e merr Zmijani
Baldo Raineri nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Klubi shkodran dhe tekniku italian kanë rënë sot dakord për ndërprerjen me konsensus të bashkëpunimit, që nisi pak javë para fillimit të këtij sezoni. Me Rainerin largohen edhe ndihmësi i tij, Daniele Nervi de Sabino Oliva. Vendimi ishte marrë nga drejtuesit e klubit, që pas barazimit me Elbasanin, por më pas palët gjetën edhe gjuhën e përbashkët me teknikun italian për t'i dhënë fund situatës së pakëndshme që kulmoi me qëndrimin e disa futbollistëve kuqeblu kundër Rainerit. Në vend të Rainerit, trajneri i Vllaznisë është emëruar Luan Zmijani, ndërsa trajner portierësh do të jetë Avenir Dani. Kësisoj merr fund aventura e Baldo Rainerit, i cili u emërua në muajin korrik në krye të kuqebluve nga "GEA Sport", por mbijetoi në këtë detyrë edhe pas prishjes së marrëveshjes së Bashkisë së Shkodrës me kompaninë zvicerane. Vllaznia, nën drejtimin e tij, ka pasur një ecuri plot luhatje, megjithatë objektivi kryesor, që ishte mbijetesa, thuajse është arritur. Ndërkohë në Kupën e Shqipërisë kuqeblutë u eliminuan në çerekfinale nga Kukësi dhe nuk kanë shanse edhe këtë vit për të ngritur trofe. Pas javës së 24ët, Vllaznia nën drejtimin e trajnerit Raineri ka arritur të koleksionojë 9 fitore, 3 barazime dhe 12 humbje, me golaverazhin, 21-26. Trajneri i ri i Vllaznisë, Zmijani do të debutojë nesër në stol, ndaj Laçit, në ndeshjen e javës së 25-të, që do të luhet në Laç. Ai kërkon të sfidojë në debutim një tjetër shkodran, Armando Cungu, i cili drejton Laçin.
Kategoria Superiore
Java e 25-të – 3 mars
Kukësi- Teuta 14:00
Laçi-Vllaznia 14:00
Skënderbeu-Tirana 17:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Elbasani-Apolonia 14:00
KOHA JONË SONDAZH

