Adrian Bajrami shënon golin e parë me ekipin e Benficës (VIDEO)
Adrian Bajrami ka shënuar golin e parë me skuadrën e parë të Benficës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ishte titullar në përballjen e Kupës së Portugalisë kundër Tirsense, një ndeshje që përfundoi me fitoren bindëse 4-0 për skuadrën nga Lisbona.
23-vjeçari u aktivizua që nga minuta e parë në “Stadiumin e Dritave” dhe tregoi një formë mbresëlënëse gjatë të gjithë ndeshjes. Goli i tij erdhi në minutën e 74-t, pas një goditje nga këndi, ku ai u gjend në vendin e duhur për ta çuar topin në rrjetë, duke vulosur një paraqitje të shkëlqyer personale.
Kjo ndeshje jo vetëm që i solli Bajramit golin e parë me ekipin A të Benficës, por edhe një vlerësim të lartë për paraqitjen e tij, me notën 8.1.
Aktualisht, ai është kapiten i ekipit Benfica B dhe ka regjistruar tri paraqitje me fanellën e Kombëtares shqiptare. Me këtë performancë, Bajrami ka dhënë një sinjal të qartë se është gati të luftojë për një vend në formacionin e parë të “shqiponjave të Lisbonës”.


KOHA JONË SONDAZH

