Agjenti i Grezdës konfirmon largimin nga Rangers, ja destinacioni i ri i tij
Eros Grezda është gati që të largohet nga Rangers gjatë kësaj vere. Lajmin e ka dhënë agjenti i futbollistit shqiptar, teksa nuk ka zbritur në fushë që nga muaji prill. 24-vjeçari edhe pse ka edhe tri sezone të mbetura në kontratë me ekipin skocez, ka vendosur që të largohet.
“Kemi disa mundësi për Grezdën. Me shumë mundësi do të largohet nga klubi shumë shpejt. Ka disa klube franceze të interesuara, por duhet të presim se me cilën skuadër do të bashkohet.
Ai dëshiron ta rregullojë të ardhmen e tij shpejt dhe rë rikthehet në fushë si protagonist. Është për të ardhur keq që nuk i kishte mundësitë në Glasgow, por gjithçka është në rregull. Duhet vetëm të presim dhe të shohim”, ka thënë agjenti Ives Cakarun për BBC.
Pak ditë më parë largimin e Grezdës e paralajmëroi edhe trajneri Steven Gerrard, i cili deklaroi se anësori shqiptar do të bënte mirë që të gjente një ekip ku mund të luajë në vazhdimësi. Një këshillë të cilën Grezda e ka pranuar. /Rozalb Lika-Koha Jone/