Agjenti i Hysajt paralajmëron Napolin: Rinovon, ose largohet në verë!
“Ose Napoli t’i rinovojë kontratë, ose largohet në verë”, ky është ultimatumi i agjentit të Elseid Hysajt, Mario Giuffredit. Ky i fundit është shfaqur shumë i qartë në fjalët e tij për “Radio Kiss Kiss” në lidhje me të ardhmen e shqiptarit. Ai mendon se shqiptari ka pritur mjaftueshëm dhe nëse nuk i rinovojnë kontratën do të largohet nga Napoli.
“Kemi folur në javët e kaluara për rinovimin e kontratës, por të shohim. Ne nuk do të presim gjithë jetën. Në jetë duhet të respektojmë njerëzit, për lojtarët që kanë dhënë shumë. Nuk do të presim përjetë Napolin. Ne mund të zgjedhim të mos rinovojmë më dhe të largohemi në verë.
Rinovimi mund të firmoset ose jo. Nëse janë me kaq dyshime, do të thotë se është e keqe situata. Do të mundohem ta sqaroj këtë situatë sa më shpejt të jetë e mundur që të krijoj mundësi për lojtarët e mi të shprehin më të mirën e tyre gjatë sezonit të ardhshëm”, deklaroi agjenti.
Kjo nuk është hera e parë që Giuffredi ushtron presion ndaj drejtuesve napolitanë, por deri më tani ende nuk ka marrë asnjë lëvizje konkrete. Afrimi i Gattusos ka ndryshuar situatën e shkodranit, i cili tashmë është rikthyer titullar në krahun e djathtë. Trajneri i ri ka shprehur besimin në vlerat e tij, edhe pse në Kupën e Italisë u ndëshkua me karton të kuq. Gjithsesi me shumë mundësi deri në verë do të kemi zhvillime të reja.
E ardhmja e mbrojtësit të kombëtares sonë do të jetë shumë e varur edhe nga ajo e Gattusos, teksa nëse arrihet objektivat mund të rinovohet kontrata me përmirësim edhe të pagës. Hysaj për momentin ka një kontratë deri në fundin e vitit 2021, por deri atëherë shumë gjëra mund të ndodhin. /R.Lika-Koha Jone/