Ahmataj: Tirana për titull, nuk kënaqem me barazim ndaj Kukësit

Periudha e pushimit pas tërmetit të 26 nëntorit i ka shërbyer trajnerit Julian Ahmatajpër të pasur më shumë kohë për të bashkuar grupin te Tirana. Tekniku bardheblu foli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ndër të tjera evidentoi problematika të lojës së skuadrës së tij dhe theksoi se nëse futbollistët do të punojnë me kokën ulur, mund të pretendojnë titullin kampion.

 

“Gjendja e skuadrës është e mirë, besoj se edhe problemet e tërmetit kanë kaluar. Kemi punuar shumë këto kohë, kemi vënë disa gjëra në rrugën e duhur dhe shpresojmë të marrim frytet e punës që kemi bërë. Po të shikosh ndeshjet, jemi ndëshkuar në kundërsulme. Janë gabime që duan kohë të madhe për t’u riparuar. Skuadra që të luajë një lojë sulmuese, duhet të ketë më shumë ekuilibër taktik, gjë që mungon në momente të caktuara. Rezultati i shtyn lojtarët të dalin nga detyrat dhe kjo duhet rregulluar.

Unë nuk mendoj se Tirana nuk ka qenë ndonjëherë favorite. Është një ndeshje e radhës, duhet fituar si çdo ndeshje kampionati, sepse të gjitha ndeshjet vlejnë vetëm 3 pikë. Unë nuk kënaqem me barazim, ndaj do futemi për më të mirën. Për mua është e rëndësishme, pasi të gjithë drejtuesit duhet të marrim përgjegjësitë. Përgjegjësia vjen nga lart dhe jo nga poshtë. Vjen nga ne, sepse në fund jemi në ata që vendosin për futbollistët.

Ne duhet të shkojmë te titulli, pasi nuk e vë fare në dyshim që jemi për titull. Duhet të japim maksimumin në lojë, po dhamë atë, kemi mundësi të marrim rezultatin. Ne nuk jemi në një moment jo të mirë, thjesht kemi probleme në strukturën e lojës që duhet të përmirësohen”, deklaroi strategu i bardhebluve.

SHKARKO APP