Ahmataj: Vllaznia skuadër e fortë, por ne duam vetëm fitoren
Julian Ahmataj kërkon 3 pikët ndaj Vllaznisë në duelin që cilësohet si derbi i Shqipërisë. Në konferencën për shtyp para derbit të Shqipërisë tekniku 40-vjeçar iu përgjigj me detaje të gjitha pyetjeve të gazetarëve.
“Është një ndeshje klasike e futbollit shqiptar. Vllaznia në ndeshjet jashtë është e fortë dhe ka marrë rezultate pozitive ndaj çdo kundërshtari. Ne nuk heqim dorë nga loja jonë. E dimë që Tirana do futet vetëm për fitore këtë ndeshje. Kjo nuk bazohet vetëm tek dëshira jonë, por edhe tek ajo që do shprehim në fushën e lojës.
Mungesa e tifozëve? Ndikon shumë tifozeria, sepse është lojtari i 12-të i ekipit, që i jep adrenalinë skuadrës. Ne duhet të jemi të përgatitur, pasi e kemi marrë konfirmimin që do të luajmë pa tifozë.
Mungesat? Tirana rolet i ka të dubluara. Ka një miks mes atyre me eksperiencë dhe të rinjve, por mungesat janë evidente. Mendojmë se kemi rikuperuar Hasanin, i është bashkuar grupit. Muçi do i bashkohet ekipit nesër, në ditën e ndeshjes, sepse ka qenë me Kombëtaren U-19. Tirana ka shumë forca brenda skuadrës.
Kartonët e shumtë? Kemi analizuar çdo gjë. Janë evidentuar të gjitha kartonët që do të merren për arsye sportive. Edhe kartonët sportivë duhet të jenë të minimizuar. U kemi shpjeguar lojtarëve se kur ke mundësi të mos e marrësh kartonin, nuk duhet ta marrësh.
Objektivi për këtë sezon? Objektivi im është të fitoj çdo ndeshje dhe të shpallet Tirana kampione. Nuk di që ndonjëherë Tirana ka qenë thjesht prezente në kampionat, për një objektiv më të ulët.
Merkato në janar? Skuadra është e kompletuar në çdo repart. Sa i përket përforcimeve, të gjithë kanë nevojë. Edhe ekipet më të mëdha në botë. Edhe ekipe që janë të shkëputura në vendin e parë, kanë nevojë për përforcime. Këtë gjë e ka klubi në dorë. Unë jam i kënaqur me organikën që kam. Do punoj me lojtarët që të përmirësohemi sa më shumë”, deklaroi Ahmataj.