Aksidenti i tmerrshëm i tifozëve të PAOK në Rumani, para duelit të Europa League (VIDEO)
Udhëtimi drejt Lionit i një grupi prej dhjetë tifozësh të PAOK-ut është shndërruar në një tragjedi të rëndë. Në Timishoara të Rumanisë, pas një parakalimi të rrezikshëm, fugoni me të cilin udhëtonin tifozët grekë u përplas me një autocisternë. Si pasojë e aksidentit, shtatë persona humbën jetën në vend, ndërsa nga tre të plagosurit, njëri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Lugojit.
Tifozët ishin nisur për të ndjekur nga afër ndeshjen e PAOK Selanikut ndaj Lyonit, e vlefshme për javën e fundit të fazës së ligës në Europa League, që do të luhet të enjten në mbrëmje në Francë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e jetëve: “Jam informuar për aksidentin tragjik në Rumani, që u mori jetën shtatë të rinjve bashkëkombës. Qeveria greke dhe ambasada jonë janë në koordinim të ngushtë me autoritetet lokale, duke ofruar çdo formë të mundshme mbështetjeje”.
Sipas njoftimit zyrtar, PAOK-u ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë greke, duke koordinuar ndihmën për familjet e viktimave dhe tifozët e plagosur, si dhe ka dërguar përfaqësues të klubit në Rumani.

KOHA JONË SONDAZH

