Akuzat e presidentit të Kukësit, Mirel Josa: Kush është Gjici?!
Ndeshjet e javës së 20-të në Kategorinë Superiore, nuk sollën polemika si një javë më parë, për manipulimin e rezultateve por siç pritej, reagime nga drejtuesit e Skënderbeut dhe të Kukësit. Dy ekipet pretendente për titullin kampion, kanë hapur një “luftë” mes tyre mbi rivalitetin për titulli por edhe për çështjen e nigerianit Peter Olayinka, i cili pretendohet se firmosi me Kukësin në fillim të sezonit, por pretendohet se “u rrëmbye” më pas nga Skënderbeu gjatë pjesës së parë të garës. Kukësi u ankua në FSHF dhe Komsioni i Apelit e pezulloi sulmuesin 19 vjeçar me katër muaj.
Safet Gjici
Pas fitores së djeshme me Elbasanin, presidenti i Kukësit dhe njëkohësisht prefekt i këtij qyteti, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga homologu i tij korçar, Ardian Takaj. – “Dua të merrem vetëm me Kukësin. Pres që deri në fund të jetë konkurrencë e ndershme. Nuk duhet të përbaltet ekipi i Kukësit,” – theksoi Gjici. – “E kemi thënë që në fillim se jemi për titullin dhe besoj se janë pjekur kushtet për të dalë kampion”. Akuzat e presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj kanë qenë të forta, por Gjici reagoi në këtë formë: – “Nuk dua të merrem me zotin Takaj. Konkurrenca duhet bërë në fushë dhe jo duke folur pa fakte dhe prova. Në faqen e parë të gazetave ka qenë gjithnjë ekipi i Skënderbeut. Një anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës ka bërë akuza dhe ne kemi bërë padi penale ndaj tij. Kukësi luan pastër dhe do të vazhdojmë të ndjekim këtë rrugë deri në fund. Zotit Takaj i ka ikur qetësia”. Mbi çështjen Olayinka, ai shtoi: – “Ne nuk kemi pasur dijeni që Olayinka ka pasur kontratë me Bylisin. Kemi një kontratë huazimi me klubin nigerian nga ka ardhur Olayinka. Bëmë kontratën, u stërvit me Kukësin por ish- presidenti i Bylisit, Kapllanaj,si dhe djali i presidentit Takaj e kanë marrë në shtëpi. Nuk di që të ketë pasur kontratë me Bylisin. Nuk ka asnjë nen të rregullores që të na dënojë për këtë problem dhe mundet që ta çojmë në KAS këtë lojtar. Olayinka ka qenë një problem i madh edhe për UEFA-n. Kontrata që ka paraqitur Bylisi duhet verifikuar me ekspertë. Ai ka një kontratë 1+1 me Kukësin dhe besoj se ai do të vijë tek ne”.
Mirel Josa
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa ka reaguar pas deklaratave të presidentit Safet Gjici, kur theksoi se Skënderbeun nuk e sheh si rival për titull. Pas barazimit me Laçin Josa tha se gara është e gjatë dhe të gjithë do ta shohin në fund se kush do triumfojë. – “Nuk merrem me deklaratat e Gjicit, se nuk e njoh kush është. Nëse flet për rivalitetin atëherë do të vijë të luajë edhe këtu , por do të shkojmë edhe ne atje dhe do të kemi kohë për të folur për këtë gjë. Janë 4 skuadra në luftë për titull dhe nga java në javë mund të ketë përmbysje. Titulli do të sulmohet nga ne, sido që të jetë puna. Për sa i përket ndeshjes me Laçin, mund të them se zhvilluam një lojë relativisht të mirë, por ndeshje e mirë quhet kur merr fitore. Problemi ishte se humbëm shumë raste, shpërdoruam shumë dhe kishte një ndryshim në të dyja pjesët e lojës”. Josa për Olayinkën, që është pezulluar, tha se sido që të jetë, Skënderbeu ka nisur të bëjë plane edhe pa të.
KOHA JONË SONDAZH

