Al Hilal futet në garë për serbin e “padëshiruar” të Juventusit
Al Hilal ka nisur kontaktet me sulmuesin e Juventusit, Dusan Vlahovic, për një transferim të mundshëm gjatë verës, sipas “L’Équipe”. Klubi saudit e ka identifikuar serbin si alternativë për Victor Osimhen, edhe pse sulmuesi i Napolit mbetet ende objektivi kryesor i tyre.
Megjithatë, pas refuzimit të një oferte të majme nga Osimhen, negociatat janë rihapur por mbeten të komplikuara për shkak të konkurrencës së madhe dhe klauzolës prej 75 milionë euro që ka lojtari.
Në këtë kontekst, emri i Vlahovic ka rifituar terren. Pas refuzimit të rinovimit me paga të reduktuara nga ana e Juventusit, e ardhmja e tij është vënë në pikëpyetje. Kontrata e tij përfundon verën e ardhshme, dhe “Zonja e Vjetër” po përpiqet të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga shitja e tij, edhe për shkak se është lojtari më i paguar në skuadër.
Në mungesë të ofertave konkrete, Juventusi po shqyrton mundësinë ta rinovojë përkohësisht kontratën e tij dhe ta huazojë, me synimin për ta rikthyer në formë dhe rritur vlerën e kartonit të tij.
Në anën tjetër, Al Hilal ka plane të qarta. Përveç përpjekjes për të afruar Vlahovic dhe për ta bashkuar me bashkëkombasin Aleksandar Mitrovic (që mungoi në Kupën e Botës për Klube për shkak dëmtimi), klubi është shumë pranë edhe zyrtarizimit të transferimit të Theo Hernandez nga Milani. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

