Allegri: Interi më i fortë, por ne duhet të luajmë një ndeshje inteligjente
Juventus do të sfidojë Interin nesër në mbrëmje në San Siro, në finalen e Superkupës së Italisë. Në konferencë për shtyp para kësaj ndeshje ka folur trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri. Tekniku livornez thekson se ekipit të tij i duhet të zhvillojë një ndeshje inteligjente ndërsa shton se përveç Cuadrado, Chiesa dhe De Ligt, do të mungojë edhe Szcsesny.
“Bonucci është rikuperuar dhe do të jetë në dispozicion, Danilo është ende mbrapa dhe do të bashkohet me grupin javën e ardhshme. Nesër në portë luan Perin, Szcsesny duhet të ndjekë protokollin pasi ende nuk ka marrë Greep Pass. Nesër pres një ndeshje të bukur kundër skuadrës më të fortë në Itali, është një ndeshje teke dhe pavarësisht se çfarë ndodh nuk duhet të ndikojë në vazhdimësinë e sezonit. Për të fituar Superkupën, do të na duhet të bëjmë një ndeshje inteligjente. Më vjen shumë keq për dëmtimin e Chiesa-s, një fatkeqësi për ne dhe futbollin italian.
Ishte në formë dhe për pjesën e dytë të sezonit do të na jepte shumë, tashmë na takon të gjithëve të bëjmë diçka më shumë. Gjatë sezonit do të vijnë edhe golat e mbrojtësve, të paktën në ndeshjen e fundit shënoi De Sciglio. Kampionati është i gjatë dhe do ta fitojë skuadra më e fortë, duhet të mendojmë të arrijmë ata që janë para nesh në renditje dhe më pas në vitin e ardhshëm do të duhet të shkurtojmë kohën për t’u rikthyer në garën për kampionatin”, u shpreh Allegri.
KOHA JONË SONDAZH

