Allegri: Morata qëndron dhe pikë, Ramsey do të largohet
Në prag të ndeshjes së parë për vitin 2022, trajneri i Juventusit Massimiliano Allegri ka analizuar super duelin ndaj Napolit, që rrezikon edhe të mos luhet pë shkak të rasteve me Covid-19. Strategu i bardhezinjve ka folur dhe për situatën në ekipin torinez.
“Bonucci do të mungojë nesër si dhe të dielën, shpresojmë që të jetë i gatshëm për Superkupën. Danilo do të rikthehet në dispozicion javën e ardhshme, por kemi rikuperuar Chiesan dhe Dybala. Kaio Jorge dhe Pellegrini nuk do të luajnë kundër Napolit. Ramsey u kthye vetëm dje, sepse ishte me leje, por ai është një lojtar që do të largohet.
Morata nuk do të largohet. Vitin e kaluar bëri 21 gola dhe këtë vit ka bërë 7 pa gjuajtur asnjë penallti. Alvaro është një lojtar i rëndësishëm dhe jam i kënaqur. Kam folur me të dhe iu thashë që nuk do të largohesh. Duhet të qëndrojë i qetë. Për të gjetur një lojtar si ai, duhet të kërkosh mes 4-5 sulmuesve më të mirë të Europës. Alvaro do të qëndrojë dhe pikë.
Shtyrja e mundshme e Juve-Napoli? Ka organe kompetente që duhet të vendosin. Ne stërvitemi dhe luajmë me ata që kemi në dispozicion. Kjo është një situatë emergjence dhe duhet që të gjenden zgjidhje. Mendimi im nuk vlen. Ata që vendosin duhet të marrin përgjegjësitë. Ne duhet të përgatitemi mirë për të luajtur, duhet të ndjekim me përpikmëri atë që na thonë të bëjmë.
Titulli? Interi është skuadra më e favorizuar për të fituar kampionatin. Nuk ia uroj Inzaghit, por vetëm ai mund ta humbasë titullin. Ne duhet të ecim ndeshje pas ndeshje dhe më pas të shohim ku mund të arrijmë”, deklaroi Allegri.
KOHA JONË SONDAZH

