Allegrit nuk i mjafton Morata, kërkon një nga këta dy sulmues!
Massimiliano Allegri sapo mbërriti te Juventusi kërkoi rinovimin e huazimit për sulmuesin spanjoll Alvaro Morata, një futbollist të cilit ia njeh mjaft mirë cilësitë. Megjithatë drejtuesit e klubit bardhezi duhet të gjejnë edhe dike tjetër për të kompletuar këtë repart, pasi pritet që Ronaldo të largohet.
Një nga emrat në listën e drejtuesve bardhezi është ai i sulmuesit serb Dusan Vlahovic, që pas një sezoni mjaft të mirë me Fiorentinën, ka zgjuar interesin e klubeve të shumta italiane dhe europiane. Klubi i Fiorentinës kërkon të përfitojë të paktën 60 milionë euro nga kartoni i tij dhe këtë shifër Juventusi mund ta paguajë vetëm nëse lirohet nga shërbimet e Cristiano Ronaldos, pasi arkat do të liroheshin nga një peshë prej më shumë se 50 milionë eurosh që portugezi i merr si pagë sezonale.
Megjithatë nuk përjashtohet as afrimi i Mauro Icardit, një sulmues që preferohet shumë nga Allegri, ndërkohë që në Paris në sezonin e fundit shpesh herë ka qenë një zgjedhje e dytë.