Amatori Karius dhe Bejl i dhurojnë Championsin e tretë radhazi Realit (VIDEO)
Reali i Madridit ka vendosur një dinasti në futbollin evropian. Skuadra e Zinedine Zidane ka fituar Championsin e tretë radhazi dhe të 13-in në histori, pasi ka fituar në finalen e madhe të Kievit në shifrat 3-1 ndaj Liverpulit. Super ndeshja u vendos nga dalja e Salah të dëmtuar pas 30 minutash, dhe nga hyrja e Bejl në gjysmë-orëshin e fundit.
Dueli startoi me një ritëm të frikshëm, teksa Skuadra e Klop është më këmbëngulëse në minutat e pa Ekipi anglez po ushtron presion shumë lart në zonën e madrilenëve duke mos i dhënë mundësinë që ata të dalin në gjysmëfushën e tyre. Mundësinë më të mirë deri më tani e ka patur Mane në minutën e 8-të, por Varane ndërhyri mjaft mirë në hyrje të zonës, pas një dalje të Navas. “Los Blancos” japin sinjalin e parë në minutën e 15-të me Kristiano Ronaldon, i cili provon me një goditje të potente nga një pozicion i prirët, por tentativa e tij përfundon jashtë kuadratit. Liverpuli vijon dominimin dhe në minutën e 23-të Aleksandër Arnold shfaqet shumë i rrezikshëm me një goditje potente në zonë, por portieri Navas tregohet shumë i vëmendshëm.
Në minutën e 30-të ndeshja do të merrte një tjetër rrjedhë, pasi Mohamed Salah detyrohet që të braktisë finalen pas një dëmtimi në shpatull. Serxhio Ramos ndërhyri në mënyrë të ashpër duke e “plasur” në tokë, dhe duke i shkaktuar një dëmtim. Salah provoi të vijonte lojën, por ai ndjente dhimbje, dhe më pas është ulur në fushë, duke kërkuar zëvendësim. Egjiptiani nuk i ka mbajtur dot lotët në momentin e daljes nga fusha, ndërkohë që mes lotësh pas disa aksionesh del edhe Karvahal te Reali, pas një dëmtimi muskulor. Madrilenët marrin “zemër” dhe gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 42-të me Benzema, por francezi ishte në një pozicion të parregullt. Fraksioni i dytë nisi më mirë për madrilenët që kishin mundësinë e artë për të kaluar në avantazh me Iskon, por goditja e futbollistit spanjoll ndalet nga traversa e portës së Karius, i cili del keq nga porta. Portieri i të kuqve bën një gafë të pabesueshme në minutën e 51-të, duke i dhuruar topin Benzemas, i cili prek topin që shkon në fundin e rrjetës. Avantazhi i madrilenëve ka zgjatur vetëm 4 minuta, pasi Sadio Mane barazoi menjëherë rezultatin pas një goditje nga këndi, duke shfrytëzuar një pasim të mbrojtësit Lovren.
Zidane vendos të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij duke hedhur në fushë Garet Bejl, teksa do të shpërblehej menjëherë për zgjedhjen e tij. Garet Bejl ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm në minutën e 64-t. Sapo hyri në fushën e lojës, ai bën një kërcim spektakolar duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke i bërë të gjithë që të mbeteshin të shtangur në Kiev. Reagimi i Liverpulit është i menjëhershëm, me Mane që merr përsipër i vetëm fazën sulmuese, por ai do të ndalej nga shtylla pas një goditje në hyrje të zonës. Në krahun tjetër pas tre minutash Ronaldo vendoset përballë, portierit, por ndalet mjaft mirë nga Robertson. Ekipi i Klop sulmon, ndërkohë që në krahun tjetër Reali kërcënon sërish me Benzeman në minutën e 81-të, por portieri Karius fluturon për ta ndalur. Reali i Madridi shënoi golin e tretë në minutën e 84-të me Garet Bejl. Uellsiani goditi nga një distancë e largët, ndërkohë që Karius sillet si portier amator duke mos arritur që ta ndalë. Ronaldo zhvilloi një ndeshje për t’u harruar, teksa në fundin e kohë së rregullt, hyn në fushë edhe një tifoz për t’i prishur mbrëmjen, por ai u kap menjëherë nga forcat e sigurisë. /Rozalb Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

