ANALIZA/ A është ky sezoni i duhur që City i Guardiolës të fitojë Championsin?
Pep Guardiola dhe Manchester City janë në momentin më të mirë të sezonit, ku mund të konkretizojnë lojën fantastike që kanë dhuruar deri më tani. Pas një kampionati të luajtur në mënyrë perfekte, Champions League është kompeticioni në të cilin “qytetarët” mund të shfaqin vlerat e tyre. Kompanitë e basteve për momentin favorizojnë Bayernin në triumfin final, teksa ky shihet si sezonin i duhur, duke parë edhe rivalët që nuk janë në ditët e tyre më të mira.
Guardiola dhe skemat e tij
Strategu spanjoll njihet për lojën e tij shumë tërheqëse dhe ndërtimin e ekipeve shumë të forta. Këtë sezon skuadra angleze ka qenë e papërmbajtshme duke arritur 21 fitore radhazi. Edhe pse shpesh herë luajnë pa sulmues tipik në fazën e avancuar, janë në gjendje që të krijojnë shumë shanse me Ilkay Gundogan dhe Kevin de Bruyne. Teksa në sezonet e kaluara problemet në mbrojtje kanë qenë të shumta, me ardhjen e Ruben Dias, janë zgjidhur, duke formuar një nga dyshet më të mira në Europë së bashku me John Stones.
Eksperienca nga sezonet e kaluara
Guardiola nuk ka një ecuri shumë pozitive në fazën çerekfinale nën drejtimin e City-it. Skuadra e tij u shkatërruar nga Liverpooli, janë eliminuar nga Tottenhami, ndërkohë që gushtin e kaluar pësuan një eliminim të papritur nga Lyoni. Këto mund të shërbejnë si eksperienca që mund të motivojnë Guardiolën që të mos gabojë më në këtë fazë, për të arritur një trofe që i mungon prej kohësh strategut katalanas.
Luksi për të lënë pushim yjet
Me 14 pikë avantazh në Premier League nga Manchester United, ata mund të përqendrohen tërësisht te Championsi. Bayerni ka një diferencë prej 6 pikësh nga Leipzig në Bundeligë, PSG ndodhet 3 pikë pas Lille, Reali 6 pikë pas Atleticos në La Liga. Krejt ndryshe nga sezoni 2018-19, kur duhet të luftonin deri në javën e fundit me Liverpoolin për titullin, Guardiola është mëse i qetë për të shpenzuar të gjitha energjitë e yjeve të tij në Champions. Me katër fitore të tjera, ata do të shpallen kampion dhe më pas mund ta menaxhojnë më së miri sezonin për të qenë në formën e duhur. /R.Lika-Koha Jone/