ANALIZA/ Çfarë fitoi dhe humbi futbolli shqiptar nga bojkoti? (VIDEO)
Ditën e nesërme më në fund topi do të nisë të rrotullohet edhe në Shqipëri. Kategoria Superiore, e programuar që të fillonte më 12 shtator, do të startojë më 4 nëntor për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste. Pas rreth një muaj e gjysmë “lufte” me qeverinë, klubet dhanë dritën jeshile, por pyetja që shtrojnë të gjithë është se çfarë fitoi futbolli shqiptar nga ky bojkot? Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, në sqarimin që dha për mediat u shpreh se tri nga 4 pikat janë zgjidhur: “Për tri pikat e para ne kemi rëndë dakord me Ministrinë e Financave dhe për t’i zgjidhur, sigurisht jo 100% por në masë të kënaqshme. “Thembra e Akilit” është Ligji i Sponsorizimit, për të cilin po vazhdojnë të këmbëngulim dhe negociojmë, që të pranohet varianti ynë, sepse është më funksional, më i pranueshëm për komunitetin e sportit dhe më i realizueshëm në fund të fundit”.
Por e vërteta është se deri më tani asnjëra prej pikave nuk është realizuar nga qeveria. Çfarë fitoi dhe çfarë humbi futbolli nga kjo ndalesë e gjatë që zgjati thuajse dy muaj?
1. Me siguri që fitoi vëmendje nga qeveria dhe nga shtypi. Në thelb kërkesat e hartuara nga Liga Profesioniste nga të gjithë janë pranuar si të drejta. Ata nxitin investimet në futboll dhe e bëjnë një sport më të shëndetshëm nga pikëpamja financiare. Kryeministri Rama caktoi si ndërmjetës në këtë rast deputetin Fidel Ylli, edhe pse në fillim ishte vendosur kusht takimi vetëm me të. Fakti që qeveria shqiptare, me Ministrin e Financave u vendosën në lëvizje është pozitiv, edhe pse ende me asnjë pikë konkrete të zgjidhur.
2. Nëse mund të quhet pozitive, është edhe fakti që Liga Profesioniste mori premtime. Tri nga katër pikat janë cilësuar si të zgjidhura, ndërkohë që Ligji i Sponsorizimeve është një dilemë e madhe. Fakti që ka shpresë se mund të ndodhë diçka në muajt në vijim mund të cilësohet si pozitive dhe një hap përpara, duhet t’ia lëmë kohës vërtetimin nëse premtimet do të bëhen realitet.
Po çfarë humbi futbolli dhe futbollistët në Shqipëri?
a). Me siguri që pika më e rëndësishëm është koha. Në këtë periudhë të vështirë, të diktuar edhe nga pandemia e koronavirusit, koha bëhet e çmuar. Imagjino në Europë, ku kampionatet kanë filluar në mënyrë normale, klubet janë të detyruar që të luajnë njëherë në tri ditë. Në Shqipëri që nga fillimi i shtatorit dhe deri më tani, janë humbur disa javë, kur futbollistët mund të kishin pasur ndeshjet e duhura dhe tashmë të gëzonin një formë të mirë sportive.
b). Së dyti klubet dhe futbollistët me siguri që kanë humbur edhe para. Klubet në vendin tonë hasin vështirësi për të paguar lojtarët në periudha normale, imagjinoni në një kohë kur janë të detyruar që të mos luajnë.
c). Së treti forma sportive. Shumë lojtarë janë në një situatë të vështirë, teksa do të detyrohen që të luajnë ndeshje çdo tri ditë për shkak të kalendarit të ngjeshur, për të mbyllur një sezon anormal. Bojkoti ka ngjeshur së tepërmi periudhën e ndeshjeve, ndërkohë që as heqja e ndeshjeve të kthimit në Kupë nuk është e mjaftueshme për ta kthyer në normalitet.
d). Klubet humbën disa futbollistë. Duka parë periudhën të paqartë në vendin tonë, shumë lojtarë vendosën që të largoheshin në Kosovë, atje ku kampionati ka nisur në mënyrë normale. /Rozalb Lika-Koha Jone/