ANALIZA/ Humbëm kualifikimin në “Euro 2020”, por me Rejën kemi fituar 5 super lojtarë

Kombëtarja shqiptare zhvilloi një tjetër ndeshje shumë pozitive ndaj Turqisë në transfertë, por dolën të mundur 0-1, falë një gabimi në fundin e ndeshjes. Ismajli nuk arriti që të kuptohej me Strakoshën, i cili doli në mënyrë të gabuar duke i dhënë mundësinë Cenk Tosun që të shënonte golin e fitores. Por kush ishin 5 lojtarët më të mirë në fushë nga kuqezinjtë tanë? Në këtë aspekt duket se ka shumë pak dyshime.

 

Ardian Ismajli – 23-vjeçari është aktivizuar titullar në të 5-ta sfidat që tekniku 74-vjeçar ka drejtuar Kombëtaren shqiptare, duke qëndruar në fushën e blertë gjatë gjitha ndeshjes. Ismajli u thirr në Kombëtare, nga trajneri Christian Panucci, teksa është shndërruar në liderin e mbrojtjes për kuqezinjtë e Rejës. Në total 23-vjeçari numëron 783 minuta me fanellën e Shqipërisë, teksa në të kaluarën ka qenë pjesë e 21-vjeçarëve të Kosovës, ku ishte dhe kapiten. Edhe mbrëmjen e së premtes ai zhvilloi një ndeshje shumë pozitive duke lënë në hije dy sulmuesit e Turqisë.

Frederik Veseli – Në mungesë të kapitenit Elseid Hysaj, trajneri Reja vendosi që t’i besonte në krahun e djathtë Veselit. Mbrojtësi i Empolit e shpërbleu mjaft mirë besimin e tij duke qenë një ndër më të mirët në fushën e lojës. I pakalueshëm dhe me një personalitet të shkëlqyer, shpesh herë na kujtoi në fushë ish-kapitenin Lorik Cana. Nuk gaboi thuajse kurrë dhe më një ritëm të tillë edhe Hysaj duhet të shqetësohet. Kur e mendon se nuk ishte në rolin e tij natyral, e bën një ndeshje edhe më fantastike.

Image result for veseli

Klaus Gjasula – I pagabueshëm në mesfushë. Një “luftëtar” i vërtet dhe shumë i vështirë për t’u kaluar nga kundërshtarët. Nëse Shqipëria në dy ndeshjet e fundit ka ruajtur një ritëm shumë të mirë në ndeshje, një meritë e madhe i takon edhe atij, pason vrapon pafund gjatë gjithë ndeshjes. 29-vjeçari për stilin e lojës na sjellë në kujtesë Kukelin, i cili edhe pse nuk duket shumë në lojë, është gjithmonë aty, në çdo top që luhet nga kundërshtarët.

Keidi Bare – Mesfushori që mund të bëjë diferencën në çdo moment. Ish-lojtari i Atletico Madrid kur vihet në kontakt me topin tregon shumë klas, ndërkohë që edhe agresiviteti i formuar te Los Colchoneros, nuk ngurron që ta shfaqë edhe në kombëtare. 22-vjeçari është elementi më i rëndësishëm që kemi fituar në ndeshjet e fundit, ndërkohë që së bashku me Gjasulën kanë formuar një dyshe të pazëvendësueshme.

Rey Manaj – Shumë e kanë kritikuar në fundin e ndeshjes për shkak të rasteve të shumta që ka humbur, por e kanë pasur gabim. Të gjitha rastet janë krijuar nga vetë këmbët e tij. Vrapon pafund gjatë gjithë 90 minutave dhe është i vetmi që arriti të vinte në vështirësi mbrojtësin Demiral. Nëse ke aftësinë për të shpikur diçka nga hiçi, atëherë meriton padyshim duartrokitje. Sulmuesi lushnjar është një garanci në repartin e avancuar, ndërkohë që goli sigurisht që do të vijë në ndeshjet në vijim. Një gjë që e kërkon me ngulm, herët ose vonë do ta gjesh. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP