ANALIZA/ Milani kthehet pas në kohë, e presin dy javë me 4 ndeshje “ferri”

Humbja e fundit jashtë shtëpisë për Milanin datonte më 22 dhjetor 2019. Vështirë ta cilësosh humbjen 2-0 kundër Spal të shtunën në mbrëmje si një aksident. Kjo ishte humbja e tretë në 5 ndeshjet e fundit, por mbi të gjitha për mënyrën si kanë ardhur. Ndaj Juventusit dhe Atalantës, kuqezinjtë dhanë sinjale jete. Kundër ekipit të Italiano-s jo. Pioli e ka cilësuar si humbjen e parë të merituar për këtë sezon.

Spezia është surpriza më e madhe e këtij sezoni, ndoshta është ekipi që luan edhe më mirë nga të gjithë këtë sezon. Një organizim perfekt, në të gjitha fazat, duke e bërë një alibi mënyrën se si luajti Milan. Të aftë për të bërë presing shumë larg, skuadra e Piolit ishte shumë e gjatë në fushë, pa mundur që të ndërtojnë thuajse në asnjë rast asnjë aksion sulmues. Duke tentuar vetëm për Ibrahimovic me topa të gjatë, suedezi nuk arriti që të fitonte duelet me Ismajlin, i cili ishte në një mbrëmje perfekte, ndoshta më e mira e karrierës së tij. Edhe pse konsiderohet si një futbollist me shumë klas, ai nuk mund të zgjidhë problemet e një ekipi të tërë.

Spezia në anën tjetër ishte shumë kompakte si skuadër, duke qëndruar të bashkuar. Theo Hernandez u anulua tërësisht në krahun e  tij nga Gyasi, ndërkohë që Pioli nuk paraqiti asnjë plan B për të dalë nga situata e vështirë. Milani duhet të mësojë nga kjo disfatë, sepse ekipet “e vogla” në letër nuk ekzistojnë. Tani sezoni i kuqezinjve do të marrë një tjetër rrjedhë. Në dy javë Milani do të sfidojë dy herë Crvena Zvezdën, ndërkohë që në kampionat do të kenë prova të vështira me Interin dhe Romën. Katër ndeshje për të kuptuar se deri ku mund të shkojë Milani i Piolit. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP