ANALIZA/ Nga Interi tek Interi, si Pirlo ktheu Juventusin e frikshëm për 3 javë
3 javë për të përmbysur një sezon të tërë. Më 17 janar Juventus pësoi një humbje të merituar ndaj Interit në “San Siro” 2-0, duke shkuar në -10 pikë nga Milani dhe -7 nga zikaltrit. Zërat se ishte fundi i një cikli nuk munguan. 3 javë më pas, bardhezinjtë mbeten ende në garë me -7 dhe -5 pikë nga ekipet milaneze, por dhe me një ndeshje për të rikuperuar ndaj Napolit. 2021 deri më tani ka qenë në vit thuajse perfekt për bardhezinjve, duke përjashtuar vetëm atë humbje ndaj ekipit të Contes. Nga Inter tek Inter, Pirlo ka rizgjuar skuadrën duke i mbajtur në garë në të gjitha kompeticionet.
Mbrojtja – Në 12 ndeshje deri më tani që janë luajtur në vitin 2021, bardhezinjtë kanë vetëm një humbje. Mbrojtja ka qenë një nga repartet më të spikatura. Nëse deri në atë ndeshje ishin pësuar 25 gola në 19 ndeshje (1.32 gola për ndeshje), në 7 ndeshjet e fundit është pësuar vetëm një gol (me një mesatare 0.14). Në 6 nga 7 ndeshjet, ekip torinez nuk e ka nxjerr asnjëherë topin nga rrjeta e tij.
Aftësia për t’u përshtatur – Më shumë se nga Allegri dhe më pak nga Sarri, Andra Pirlo ka krijuar një miks mes dy ish-trajnerëve duke demonstruar një lojë tërheqëse, por edhe shumë të sigurt në prapavijë kur është dashur. Në dy sfidat e fundit trajneri i Juventusit u kujdes më shumë për fazën mbrojtëse duke ja lënë më shumë aksionet sulmuese Romës dhe Interit, por thuajse në asnjë rast portieri i ekipit torinez nuk u vendos në rrezik.
Thellësia – Andra Pirlo në këtë fazë të sezonit ka 20 titullarë të gatshëm për të hyrë në fushë nga momenti në moment. Edhe pse kalendari ka qenë shumë i vështirë, Pirlo ka bërë shumë ndryshime nga ndeshja në ndeshje, duke arritur që të marrë rezultatet e kërkuara. Paulo Dybala është një mungesë e rëndësishme në fazën e avancuar, por për momentin atë rol mund ta bëjë mjaft mirë edhe Kulusevski, që është kthyer në një sulmues të dytë, i aftë për të mbështetur si Ronaldon ashtu edhe Moratën. De Ligt dhe Demiral kanë formuar një kopje fantastike në qendër, ndërkohë që Alex Sandro dhe Cuadrado janë të pashterueshëm në krahë. Bernandeschi është aktivizuar edhe pse ka lënë pak gjurmë, ndërkohë që Rabiot duket se është një garanci në mesfushë. /Rozalb Lika-Koha Jone/