ANALIZA/ Pirlo si mjeshtër në shtëpinë e Barcelonës, CR7 përmbysi Messin

Kush e priste një Juventus të tillë që të shkatërronte Barcelonën dhe të kualifikohej si e para në grupin e Champions League? Në tabelën e ndeshjes u shënua dy herë emri i Cristiano Ronaldos, i cili për herë të parë arriti që të shënonte në kompeticionin më të rëndësishëm kundër Messit. Por kjo në fakt nuk ishte vetëm një fitore e CR7. Në Camp Nou Juventus fitoi si skuadër, në saj të futbollit që tregoi, në dukje e ngadaltë, por në realitet e shpejtë dhe nën kontrollin e topit. Ka shumë nga Pirlo si futbollist në këtë ekip, me idenë se çdo top duhet të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, çdo lojtarë duhet të jetë i përfshirë. Nuk ekziston obsesioni i zotërimit, pasi në fundin e ndeshjes katalanasit do të ishin më superiore në këtë aspekt 59 me 41 për qind, por që vlejti shumë pak.

Loja e shkëlqyer

Më shumë se rezultati, befasuese ishte prezantimi fantastik dhe më shumë personalitet. Juventusi shkatërroi Barcelonën në shtëpinë e tyre, një gjë që ka ndodhur pak herë në epokën e Messit. Asnjë skuadër italiane nuk ka shënuar më parë 3 gola ndaj blaugranëve në shtëpinë e tyre. E fundit që e ka bërë diçka të tillë ishte Milani në Athinë, në finalen e Championsit në vitin 1994 (4-0). Gjithsesi nevojiten edhe të tjera prova në vijim, pasi rezultati mund të jetë edhe pasojë e një Barcelone të dobët. Pirlo ka filluar që të marrë frytet e punës së bërë në tre muajt e parë.

Dominimi

“Zotër” të fushës në 45 minutat e para. Skema ishte e ngjashme si në ndeshjet e kaluara, me vendosjen 4-4-2 në fazën mbrojtëse, dhe 3-5-2 e 3-4-1-2 në ndërtimin e aksioneve, me Ramsey-in që luajtur pas Moratës dhe Ronaldos. Alex Sandro në krahun e majtë ishte njeriu i “ndryshimit” nga mbrojtja në sulm. Cuadrado ishte disi më i lirë në të djathtë. Në 20-25 minutat e para, Barcelona nuk e lexoi si duhet skemat e bardhezinjve. Lejuan skuadrën torineze që të ndërtonte aksionet nga prapavija pa ndërhyrë pa ushtruar presion. Griezmann në teori duhet të ishte lojtari që duhet të komandonte sulmin, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Logjika

Pirlo deri më tani e ka administruar më së miri tri lojtarët e sulmit që ka në dispozicion Dybala, Morata dhe Ronaldo, duke bërë zgjedhje racionale. Nuk ka pasur hatërmbetje nga asnjë prej tyre. Strategu i ri ka filluar që të mendojë pa shumë utopi në kokë, ky është lajmi i ri. /Gazzetta dello Sport – PërshtatI në shqip Rozalb Lika/

SHKARKO APP