ANALIZA/ Reja dënon “fshehurazi” senatorët, zbulohet plani për “Euro 2024” (VIDEO)
Shqipëria që nga dita e hënë ka nisur përgatitet për dy sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë. Kuqezinjtë këtë herë do të kenë një grup shumë të “cunguar”, me plotë emra të rinj, teksa futbollisti me më shumë eksperiencë është Amir Abrashi në mesfushë. Strategu italian në konferencën për shtyp prezantoi listën për dy ndeshjet e radhës, duke lënë jashtë 4 senatorë që kanë dhënë shumë për Kombëtaren në vitet e fundit. Reja nuk e pranoi se ata nuk do të ishin për shkak të pjesëmarrjes në fejesën e Odise Roshit.
Ai preferoi që ta mbante një çështje brenda grupit, një dënim i vogël që mund të shërbejë si shembull për të tjerët në të ardhmen. Strategu italian tregohet “babaxhan” në daljet për mediat duke mbajtur të fshehur problemet, madje duke gjetur arsyetim për secilin pre tyre.
“Hysaj është i skualifikuar dhe ka probleme për shkak të pandemisë, teksa Napoli më ka kërkuar që të mos ta grumbulloj. Sa i përket Roshit, është i dëmtuar për shkak të një problemi në kavilie. Cikalleshi nuk është në gjendjen e tij më të mirë, ndërkohë që Balajn e njoh mirë ndaj dhe nuk e grumbullova”.
Probleme të cilat mund ta kenë ndihmuar strategun italian që të marrë masat e nevojshme për shkeljen e rregullave brenda grupit. Një tjetër temë për t’u prekur te kuqezinjtë janë eksperimentet e shumta dhe mungesa e një formacioni bazë në çdo ndeshje. Asnjë nuk e di formacionin e Kombëtares sonë, pasi Reja e ka ndryshuar shpesh në ndeshjet e fundit duke sjellë shumë paqartësi.
Sherif Kallaku, Albi Doka, Jon Mërsinaj, Marko Molla janë risitë e listës së radhës, duke bërë që mosha mesatare të jetë shumë e ulët për ndeshjet në vijim. Për herë të parë, 74-vjeçari në konferencë për shtyp pranoi se po punon më shumë jo për të fituar grupin, por për “Euro 2024”.
“Ka qenë projekt i Federatës që në momentin që kam firmosur me Presidentin Duka që ne të ndërtojmë një skuadër që të synojmë Euro 2024. Sigurisht, pa lënë mënjanë edhe këto eliminatore të Nations League, por projekti final ishte për të ndërtuar një skuadër kompetitive dhe dinjitoze për 2024”
Grupi i talentuar i futbollistëve duket se i ka shërbyer italianit për të bërë më shumë eksperimente në ndeshjet e Ligës së Kombeve si dhe për të pasur një ide më konkrete për futbollistët që duhet të jenë në planet e tij. Garancitë janë të mëdha në mbrojtje ku Kumbulla, Gjimshiti, Veseli apo edhe Dermaku ofrojnë qetësi në prapavijë në saj të eksperiencës së madhe që kanë fituar në Itali. Reja krejt ndryshe nga Panucci, i jep dënimet në mënyrë të “heshtur”, duke mos shfaqur problemet në publik, por mbetet të shihet nëse strategjia e tij do të sjellë sukses në ëndrrën për të shkuar sërish në një Europian. /Rozalb Lika-Koha Jone/