Analizë dhe tone të larta, Ahmataj nuk toleron

Pasuesi i Memës në stolin e Tiranës, do të jetë Julian Ahmataj. Presidenti Refik Halili ka vendosur t’ia besojë skuadrën ish-futbollistit bardheblu, që prej tre vitesh po ushtron edhe profesionit e trajnerit. Ahmataj fitoi balotazhin me Bledar Devollin, që gjithashtu ishte kandidat për këtë post. 40-vjeçari ka qenë në disa raste pranë bardhebluve por vetëm në këtë moment u poqën kushtet për ta hedhur këtë hap.

 

Ahmataj ka zhvilluar stërvitjen e parë me Tiranën. Ashtu siç pritej, trajneri ka vendosur që të marrë me vete edhe stafin e tij. Në krah do të ketë Akil Jakupin, ish-lojtarin e Teutës dhe skuadrave të tjera. Nga grupi është larguar jo vetëm Mema por edhe ndihmësi i tij Erion Xhafa. Me stafin e ri ka qëndruar përgatitësi atletik Kosta Jani dhe trajneri i portierëve Emanuel Egbo, që nuk kanë ndryshuar punë.

Si fillim ka nisur punën me anën taktike. Pasi ka rreshtuar dy 11- she, nga djemtë ka kërkuar përqendrim, shpejtësi dhe saktësi, por edhe mbulim të gjithë fushës dhe gabime zero. Jo rrallëherë është ndalur loja, është ngritur zëri për ndonjë gabim që bëhej nga futbollistët në fushën e lojës gjatë stërvitjes. Dukej qartë se Ahmataj nuk do të tolerojë askënd dhe në stërvitje do të kërkojë që të gjithë të japin më të mirën.

SHKARKO APP