Ancelotti kërkon falje për dëmtimin e van Dijk, ja si e përshkruan italian episodin
Trajneri i Evertonit, Carlo Ancelotti ka kërkuar falje për dëmtimin e Van Dijk në derbin e Merseyside. 29-vjeçari pësoi një ndërhyrje horror nga portieri Jordan Pickford. Strategu italian është ndjerë shumë i mërzitur nga ky episod.
“Që të jem i qartë, ne na vjen shumë keq për dëmtimin e Virgil van Dijk. Shpresoj që ai të rikuperohet sa më shpejt dhe mirë. Fakti është që Premier League është një kampionat i shpejt, është shumë e vështirë që të arrish në një kohë me vonesë.
Jordan arriti pak më vonë, por synimi ishte që të kapte topin dhe jo që të dëmtonte Virgil van Dijk. Të them se ishte një veprim i paramenduar, për mendimin tim është shumë. Van Dijk e di një gjë të tillë. Pickford është vërtet shumë i trishtuar, ishte një kontakt i fortë, por që ndodhin në futboll”, deklaroi strategu italian. /R.Lika-Koha Jone/