Ancelotti lë të hapur largimin: Nuk e di çfarë do të ndodhë me të ardhmen time!
Pas eliminimit nga Champions League, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli për mediat duke lënë të hapur të ardhmen e tij në stolin e “Los Blancos”. Humbja 2-1 në “Santiago Bernabeu” ndaj Arsenalit, pas disavantazhit 3-0 nga ndeshja e parë, i dha fund rrugëtimit të madrilenëve në këtë kompeticion në fazën çerekfinale.
“Na duhej një moment ndezjeje në ndeshje. Ajo penalltia që nuk na u dha mund të kishte ndryshuar rrjedhën, por Arsenali e meritoi kualifikimin. Ishin shumë të organizuar dhe rikuperimi i rezultatit ishte shumë i vështirë”, u shpreh Ancelotti për “Sky Sport”.
I pyetur për të ardhmen, tekniku italian nuk dha një përgjigje të qartë: “E ardhmja ime? Nuk e di çfarë do të ndodhë dhe nuk dua ta di. Tani jemi të përqendruar në La Liga, kemi përpara finalen e Kupës së Mbretit dhe në verë Kupën e Botës për Klube. Është një sezon i pafund dhe duhet të ngrihemi sërish”.
Ndërsa zërat për të ardhmen e tij vazhdojnë të qarkullojnë, vetë Ancelotti duket i përqendruar te objektivat e mbetur sezonalë: “Kam shumë gjëra për të menduar, më tepër se për këto hollësi”. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

