Ancelotti nuk e bën dramë: Fitojmë në “Camp Nou” dhe e përmbysim Barcelonën!
Carlo Ancelotti nuk e bën dramë humbjen në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës. Skuadra e Xavit triumfoi 0-1 në “Santiago Bernabeu”, por trajneri italian beson te përmbysja dhe kalimi në finale.
“Nuk arritëm të siguronim rezultatin që donim, por performanca e skuadrës na mbush plot besim për ndeshjen e kthimit. Duhet të përsërisim këtë lojë edhe në Barcelonë.
Ata qëndruan mbrapa, u mbrojtën shumë mirë, por ne nuk i lejuam të zhvillonin futbollin që donin të luanin. Kjo është sigurisht një meritë dhe një ogur i mirë për sfidën në ‘Camp Nou’.
E nisëm dhe e përfunduam mirë ndeshjen, por paguam një gabim individual. Jemi të kënaqur, nuk është kurrë e lehtë të kontrollosh ndeshjen ndaj një kundërshtari si Barcelona.
Duhet të kthejmë rezultatin, por nuk është hera e parë që na ndodh. Pres të njëjtin intensitet në takimin e kthimit. Duhet të krijojmë më shumë raste për gol. Barcelona do të luajë ndryshe në fushën e vet”, tha Ancelotti.