Ancelotti vlerëson Atalantën: Të luash ndaj tyre është si të shkosh te dentisti!
Real Madridi fitoi Superkupën e Evropës duke mposhtur Atalantën me 2-0. Trajneri i Blancos, Carlo Ancelotti , ka analizuar atë që ndodhi gjatë një interviste për SKY, ku nuk munguan elozhet për bergamaskët.
“Jam i nderuar që jam trajner i kësaj skuadre, është një privilegj i madh për mua. Mendoj se ishte një ndeshje e mirë. Atalanta na bëri të vuajmë në pjesën e parë, pastaj kur presioni ra, ne gjetëm më shumë hapësirë dhe sulmuesit tanë janë shumë të fortë.
I thashë Gian Piero Gasperinit se të luash kundër Atalantës është si të shkosh te dentisti, lojtarët tanë ishin pak nervozë në fund të pjesës së parë sepse nuk ishin në gjendje të bënin atë që donin, u thashë të bënin durim.
Ata janë një skuadër shumë e organizuar, i kërkova sulmuesve më shumë lëvizshmëri, gjëja e rëndësishme është që të zënë pozicione të mira dhe ta ndihmojmë skuadrën të rikuperojë topin dhe ata e bënë këtë ndeshje të shkëlqyer dhe na bënë të vuajmë” , tha Carlo Ancelotti. /R.Lika-Koha Jonë/