Anglia dhuron spektakël, fitore tenistike kundër Iranit (VIDEO)

Anglia e nis vrullshëm aventurën në Kupën e Botës në Katar, duke marrë një fitore të thellë 6-2 ndaj Iranit. Skuadra e Southgate ishte superiore në të gjitha drejtimet, pasi e zgjidhi duelin që në 45 minutat e para.

Portieri i Iranit, Alireza Beiranvand pësoi një dëmtim të rëndë pas një përplasje që pati me shokun e tij të skuadrës Majid Hosseini. Ata u përplasën kokë më kokë me njëri tjetrin, duke shtyrë ndeshjen për 14 minuta.

Sa i përket golave, në minutën e 35-të, Jude Bellingham do të realizonte një super gol me kokë, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës. Skuadra e Southgate nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 43-të, Saka do të realizonte dhe golin e dytë me një goditje që u ndihmua dhe nga devijim në zonë. Në minutën e parë të shtesës, Harry Kane pas një kundërsulmi shërben një asist të saktë për Sterling, i cili e dërgon për herë të tretë në kuadrat.

Në pjesën e dytë, “Tre Luanët” vijuan dominimin. Saka, me një veprim të bukur brenda zonës ka nxjerr jashtë loje disa mbrojtës me një goditje të lehtë që shkoi në cepin e portës. Irani reagoi menjëherë duke shënuar golin e nderit me yllin e skuadrës së tyre, Mehdi Terani, i cili finalizoi një aksion të shpejt.

Në minutën e 72-të, Marcus Rashford në një kundërsulm të shpejt lë në vend mbrojtësin kundërshtar dhe më pas me të majtën e ka të thjeshtë për ta shtyrë “sferën” në kuadrat. Gjithsesi Tre Luanët do të realizonin dhe golin e 6-të, me Grealish që finalizoi një asist nga Wilson.

irani shënoi golin e dytë me një penallti të kthyer në gol nga sërish nga Taremi. Skuadra e Southgate me këtë sukses konfirmohet si një ndër ekipet favorite për triumfin në Kupën e Botës. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP