Ansi Agolli: Fitorja me Armenisë, duhet t’i ndalim pikat më të forta
Objektiv kryesor, ndaj Armenisë, mbetet fitorja. I tillë ishte premtimi i portierit Etrit Berishës dhe mbrojtësit të majtë, Ansi Agolli, të përzgjedhur nga ekipi kombëtar për të dhënë opinionet e tyre përpara ndeshjes eliminatore “Francë 2016”, ndaj Armenisë. Ansi Agolli, mbrojtësi i majtë i kombëtares sonë, nuk e fsheh entuziazmin para ndeshjes me armenët: – “Të gjithë kërkojmë të bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe të marrim rezultatin që kërkohet prej nesh. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë, por nuk mund ta fshehim që objektivi ynë është fitorja,” – shprehet Agolli. Përballë lojtarit më të mirë të Armenisë, Mkhitaryan, në ndeshjen e së djelës duket se do të ketë punë më tepër nga të gjithë kuqezinjtë Ansi Agolli, sepse sulmuesi i Borussia Dortmund në Bundesligë, pritet të luajë ndaj Shqipërisë pikërisht në krahun e tij. – “E kemi studiuar kundërshtarin në çdo detaj, dhe po punojmë fort për të mësuar pikat e tyre të dobëta. Duhet ta ndalim atë në pikat më të fortë, siç është dhe Mikhitaryan,” – shton Agolli. Ndeshja me Armeninë duket se ka dhe më shumë vlerë për Ansi Agollin, në planin personal, sepse ai luan në Azerbajxhan, një vend që nuk ka marrëdhënie të mira me armenët. – “Në Azerbajxhan e ndjejnë shumë këtë sfidë dhe fakti që luajë në atë vend e bën këtë ndeshje një derbi për mua. Te Qarabak më thanë mos kthehem në skuadër nëse nuk mundim Armeninë,” – shprehet ai me shaka. – “Por herën e fundit që fituam ndaj tyre, (në rang klubesh) presidenti i klubit më dha shpërblim dhe besoj dhe këtë herë do më jap shpërblim nëse fitojmë me Armeninë.” I përzgjehdur për të shprehur entuziazmin kuqezi, ndonëse trajneri de Biasi, përpiqet ta ulë atë, Etrit Berisha shprehet në prag të ndeshjes se: – “E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj një skuadre që ka treguar forcën e saj ndaj të gjithë rivalëve por për ne objektivi është marrja e 3 pikëve.” Me vetëm një gol të pësuar ndaj dy skuadrave të forta të grupit I, Portugalisë e Danimarkës, dhe pikërisht ndaj danezëve në Elbasna, Etrit Berisha ka qenë padyshim një prej pikave më të forta të Shqipërisë deri në këto momente. Ruajtja e paprekur e portës është synimi i tij kryesor dhe në sfidën me Armeninë dhe një sulmues të raungut ndërkombëtar si Mkhitaryan. – “Kam punuar shumë kohët e fundit dhe këtë ndeshje e kam menduar gjatë. Do bëj maksimumin tim që skuadra të mos pësojë. Nuk do të jetë e thjeshtë sepse kanë lojtarë të shpejtë dhe zbresin mirë në kundërsulm, por asnjëherë nuk ka ndeshje të thjeshta dhe e dimë atë që kërkojmë,” – shprehet portieri i kombëtares sonë. Kuqezinjtë kanë vijuar përgatitjet në Durrës, me nga dy seanca në ditë, ndërkohë që sot mes tyre do të luhet një miqësore që trajneri Gianni de Biasi të shprehë nga afër gjendjen e lojtarëve para ndeshjes me Armeninë.
KOHA JONË SONDAZH

