Antonio Conte konfirmon qëndrimin te Napoli: Vazhdojmë përpara, jemi njerëz seriozë!
Pas një takimi vendimtar me presidentin Aurelio De Laurentiis, trajneri Antonio Conte ka zyrtarizuar qëndrimin e tij në krye të stolit të Napolit edhe për sezonin e ardhshëm. Takimi është pasuar me një darkë në një nga restorantet më të njohura të Napolit, ku Conte ka dhënë edhe deklaratën e tij të parë pas konfirmimit.
“Në fund të çdo sezoni është normale që trajneri dhe klubi të ulen për të bërë një analizë të vitit dhe për të parë nëse vizionet përputhen. Kemi një kontratë, vizionet tona përputhen, kështu që nuk ka asgjë për të shtuar. Vazhdojmë përpara, sepse jemi njerëz seriozë”, tha Conte për mediat.
Trajneri italian, që pritet të jetë një nga figurat kyçe në rindërtimin e Napolit, vlerësoi gjithashtu edhe marrëdhënien me qytetin dhe tifozët: “Gjëja më e rëndësishme, kur nis një sfidë të re, është të përqafosh plotësisht historinë e klubit. Në Napoli kam zbuluar një qytet me shumë pasion dhe entuziazëm, një vend që kërkon shumë, por të shpërblen me emocione të jashtëzakonshme. Dua të falënderoj të gjithë tifozët. Tani duhet të punojmë fort sërish!”
Konfirmimi i Contes sjell qetësi në ambientin napolitan dhe sinjalizon vazhdimësinë në projektin teknik për sezonin e ardhshëm. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

