Arbër Hoxha: Dita më e bukur kur firmosa me D.Zagreb, sfida me Kroacinë ishte e çmendur
Arbër Hoxha po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij. Sulmuesi shqiptar është shndërruar në një pikë referimi te Dinamo Zagreb, ndërsa paralelisht ka rritur ndjeshëm peshën e tij edhe në Kombëtaren kuqezi. Fundi i vitit ishte spektakolar për Hoxhën, por pritshmëritë janë të mëdha që ky nivel të konfirmohet edhe në muajt vendimtarë që vijnë, sidomos në mars, kur Shqipëria do të luajë ndeshjet “play-off” për ëndrrën Botëror.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Dinamo Zagreb, Hoxha është ndalur fillimisht te momenti i transferimit, duke e cilësuar atë si vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij. Sipas sulmuesit, nënshkrimi me Dinamon ishte një ditë e paharrueshme, pasi bëhet fjalë për një klub të madh, me tifozëri të jashtëzakonshme dhe me një peshë të madhe përgjegjësie mbi supe.
Golat e shënuar me fanellën blu kanë qenë jo vetëm të bukur, por edhe vendimtarë. Mes tyre, Hoxha veçon njërin prej tyre: “Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe një gol për tri pikë. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë”
Sa i përket objektivave, mesazhi është i qartë: “Dinamo synon titullin kampion. Rikthimi në krye të kampionatit dhe sjellja e trofeut në Zagreb mbetet prioritet absolut për klubin dhe për gjithë grupin”.
Në fund të intervistës, Hoxha ka komentuar edhe përballjen Shqipëri–Kroaci në “Euro 2024”, duke e përshkruar atë si një përjetim unik.
“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Kur kemi mbërritur në stadium, gjysma e tribunave në stadium ishin të mbushura me shikues të Kroacisë dhe gjysma me përkrahës të Shqipërisë. Të gjithë ishin të bashkuar dhe ishte e jashtëzakonshme”, u shpreh Arbër Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

