Arbitri braktis futbollin për t’u bërë infermier: Këtu jam më i dobishëm!
Në moshën 39 vjeç është bërë një nga gjyqtarët më të respektuar dhe më të njohur në vendin e tij në Brazil, por ndërkohë ai tashmë ka vendosur që t’i kthehet profesionit të mëparshëm si infermier. Duke parë situatën e koronavirusit, Igor Benevenuto ka vendosur që të japë kontributin e tij për të shpëtuar jetë njerëzish.
Disa vite më parë ai vendosi që ta braktiste profesionin e infermierit, duke u bërë gjyqtar profesionist në elitën e futbollit brazilian. Ai ndihmon të sëmurën në një spital në Sete Lagoas, qyteti ku ai jeton, 80 km nga Belo Horizonte.
“Sigurisht që kam frikë, është ndryshe nga arbitrimi i një ndeshje. Ka pasur shumë infermier që janë prekur nga virusi. Ky është një ‘armik’ që mund të prekë këdo, persona të të gjitha moshave. Gjithsesi tani njerëzit kanë nevojë për mua dhe nuk mund të tërhiqem pas, këtu jam më i dobishëm”, deklaroi arbitri i njohur. /R.Lika-Koha Jone/