Arbitri i njohur francez vendos drejtësi në Beograd, në duelin mes Serbisë dhe Anglisë
UEFA ka përcaktuar gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në duelin mes Serbisë dhe Anglisë, në stadiumin “Rajko Mitić”. Bëhet fjalë për një nga arbitrat më të njohur evropianë, Clément Turpin.
Ai do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij, Nicolas Danos dhe Benjamin Pages, ndërsa kontrollin nga dhoma e VAR-it do ta kenë Willy Delajod dhe Jérémie Pignard.
Arbitri francez ka një përvojë të pasur ndërkombëtare, ndërsa momenti kulmor i karrierës së tij ishte gjykimi i finales së Champions League 2022 mes Real Madridit dhe Liverpoolit, një dëshmi e besimit të madh që gëzon në qarqet evropiane të futbollit.
Serbia mori një fitore të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, duke mposhtur Letoninë në Riga me rezultatin minimal 1:0. Pas tre ndeshjeve të para, serbët kanë grumbulluar 7 pikë, duke u forcuar vendin e dytë të grupit.
Ky duel pritet të jetë problematik nga pikëpamja e sigurisë, pasi dihet që të dyja tifozeritë nuk gëzojnë një marrëdhënie të mirë mes tyre.

KOHA JONË SONDAZH

