Ardian Takaj: E dhimbshme, nëse gara do të prishet nga tolerimet
Skënderbeu është rikthyer në krye të kampionatit pak ditë më parë dhe në prag të fazës së tretë nuk ka ndërmend të lëshojë më kreun për të ngritur trofeun e pestë kampion në Shqipëri. Vendin e parë skuadra korçare e ka mbajtur pjesën më të madhe të 5 viteve të fundit. Kjo arritje rrit optimizmin në kampin e kampionëve ku presidenti Ardian Takaj nuk e fsheh lumturinë që skuadra e tij ka arritur të lejë pas gjithë rivalët. Gjithsesi, numri 1 i klubit bardhekuq kërkon përqendrim deri në fund të sezonit për të vazhduar rrugën e sukseseve. –“Ky është viti i 5 i sukseseve tona. Kampionatin e kemi administruar shumë mirë por nuk jemi të shkëputur nga vendi i dytë, madje mendoj se lufta mes 4 ekipeve pretendente do të zhvillohet deri në fund. Nuk ka një skuadër të veçantë së cilës i trembem. Ne i trembemi njëri- tjetrit deri në fund, sepse përplasjet e mëdha do të vendosin edhe kampionatin.” Presidenti i ekipit korçar e pranon se tolerimet nuk janë një fenomen i ri në kampionatin shqiptar, por ai kërkon që pjesa e mbetur e këtij sezoni të përshkruhet nga loja “Fair Play”, nga të gjitha ekipet, për të mos e zbehur bukurinë e këtij sezoni. –“Tolerimet në kampionatin tonë nuk janë një gjë e re. Do të më vinte mirë po të mos ndikonin në garën për titullin kampion. Është e dhimbshme që për tolerime të një ekipi apo të një tjetri të prishet gara. Kampionati është i fortë dhe do të ishte e dhimbshme të prishej tani në fund". Presidenti Takaj shkëputi një koment edhe për gjykimin e arbitrave, duke kërkuar më shumë vëmendje nga Federata Shqiptare e Futbollit në këtë aspekt. -“Tani është fundi i kampionatit. Interesat janë shumë të mëdha. Do të ketë ndërhyrje dhe presione, prandaj FSHF duhet të jetë e kujdesshme në përcaktimin e arbitrave,” – shprehet Takaj. Duhet theksuar se nën drejtimin e tij Skënderbeu ka fituar dy tituj kampion dhe tashmë pretendon trofeun e tretë. Dy tituj janë fituar nga presidenti Agim Zeqo. Këto suksese nuk janë të rastësishme, sepse si Zeqo edhe Takaj, kanë investuar dhe kanë organizuar një ekip model për titullin kampion.
KOHA JONË SONDAZH

