Arjola Prenga: Suksesin ia dedikoj punës, nuk dorëzohem asnjëherë

Një volejbolliste e cila ka korrur mjaft sukses në disa nga arenat më të mëdha të volejbollit dhe nuk di të ndalet. E tillë është historia e Arjola Prengës, lojtares profesioniste të volejbollit shqiptare, e cila është një model për të gjithë të rejat e apasionuara pas sportit. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Arjola rrëfen lidhur me karrierën e saj, planet e ardhshme si edhe jetën personale…

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Nga një vajzë e vogël plot ëndrra në një lojtare profesioniste volejbolli në arenat më të mëdha botërore. A ka qenë volejbolli ëndrra juaj më e madhe dhe e mendoni se e keni realizuar atë?

Swiss Digital Desktop Reklama

Kur jemi të vegjël në mendjen tonë kalojnë shumë lloje profesionesh që duam të bëhemi, ashtu edhe unë me siguri duhet të jem shprehur për një profesion dhe me siguri jam shprehur për sportin. Çdo sekondë dëshiroja vetëm të luaja dhe duke u rritur e duke kuptuar më shumë në mendjen dhe zemrën time qëndronte vetëm volejbolli. Vazhdoj të kem ëndrra për pasionin/profesionin tim. Vitet kalojnë por unë akoma nuk jam gati të mbyll karrierën time që të them e kam realizuar apo jo atë. Megjithatë ndjehem e kënaqur për punën time gjatë këtyre viteve në volejboll.

Swiss Digital Mobile Reklama

Hapat e parë të karrierës janë për këdo të vështira dhe plot mundim, kështu duhet të ketë ndodhur edhe me ju. Ke menduar ndonjëherë të hiqje dorë nga volejbolli apo të dorëzoheshit?

Eh si mund të harroj hapat e parë. Unë u bëra pjesë e ekipit të të rriturave të Dinamos më 26 Qershor të vitit 2000, vetëm për faktin se isha motra e Amarildës. Nuk isha stërvitur kurrë me një ekip apo të kisha marrë hapat e para të volejbollit dhe për këtë arsye nuk ishte fare e lehtë për mua të ambjentohesha me një ekip profesionist ku të gjitha lojtarët i shikoja me shumë admirim. Megjithatë kjo pjesë kishte edhe avantazh, pasi nga natyra që unë kisha gjithmonë doja të mësoja çdo gjë dhe sa më shpejt. Kjo më dha edhe mundësinë që në vitin 2002 të bëhesha pjesëtare e dy-mbëdhjetëshes.  Ishin vitet kur Amarilda e kishte krijuar emrin e saj, niveli qe ajo kishte ishte mëse i dukshëm që bëhej fjalë për Ela Tasen e ardhshme, saqë në një emision televiziv nga vetë Ela Tase iu dorëzua bluza me numrin 1 që përfaqësonte në volejbollin shqiptar Ela Tasen. Mbaj mend që jam gëzuar dhe krenohesha pa fund, pasi bëhej fjalë për motrën time. Gjatë gjithë viteve të mia në volejbollin shqiptar ka qenë vetëm babi im dhe më vonë profesor Vangjel Koja ata që besonin dhe punonin me mua se një ditë edhe unë do arrija atë nivel për të luajtur denjësisht me ekipe dhe lojtarë cilësorë. Nuk dëgjoja komplimenta apo suport as nga vetë volejbollistet dhe as nga trajnerët. Dhe jo për faktin që mos mburresha apo vetëkënaqesha, por sepse gjithmonë më kanë krahasuar me Amarildën dhe ma shprehnin: “Ti nuk do bëhesh si Amarilda, ti nuk do bëhesh volejbolliste…etj, etj”. I mbaj mend të gjitha, fjalët edhe personat. Sigurisht që në atë kohë mërzitesha, jo për faktin se më krahasonin me motrën time apo kushdo qoftë, por sepse unë punoja gjithmonë me maksimumin tim, nuk bëja hile dhe as nuk ankohesha në asnjë seance stërvitore. Më habiste gjithë ajo siguri që ata shprehnin duke qenë se unë nuk lija hapësira për të më gjykuar kaq herët për të ardhmen time. Të vetmit person që i tregoja gjithçka ishte babi im. Gjithmonë më thoshte: “Ti vetëm puno, çdo fjalë që të thuhet e të transmetohet ktheje në punë”. Atë kam bërë dhe jam shumë e lumtur që një ditë pas fakteve të vazhdueshme kam treguar vërtetuar arritjet e mia dhe nivelin tim. Të dorëzohem?! Për asnjë arsye dhe për asnjë person.

Keni lindur në Rrëshen dhe jeni rritur në Tiranë. Karriera juaj nisi në Shqipëri, dhe më tej vazhdoi në Francë e në Norvegji. Me këto lëvizje, sa e vështirë ka qenë të ambientoheshit?

Kam lindur dhe jam rritur në Rrëshen deri në moshën 15 vjeçare. Më pas erdha në Tiranë, ku në moshën 23 vjeçare vendosa për t’u larguar nga Shqipëria dhe për të shijuar ato copëza ëndrrash që kisha krijuar në zemrën time. Për mua volejbolli është shumë i rëndësishëm në jetën time dhe për volejbollin u largova edhe nga vendlindja ime.  Përshtatjen me ambjentet apo shtetet asnjëherë nuk e kam menduar si ndonjë problem, pavarësisht largësisë, klimës, mentalitetit, ushqimit apo punës. E kisha të qartë në mendjen time që “Unë po iki në Amerikë të luaj volejboll”, “Po iki ne Spanjë të luaj volejboll”, e kështu në çdo shtet. Problemi në fillim ka qenë vetëm gjuha, pasi nuk flisja asnjë gjuhe të huaj, por siç e thashë edhe më lart unë mësoj shumë shpejt. Kështu që në çdo shtet që jam transferuar jam përshtatur aq sa ndihesha si në shtëpinë time.

Në Francë dhe Norvegji, nga eksperienca juaj si volejbolliste, a mund të bëni dallimin mes tyre dhe volejbollit shqiptar?

Volejbolli është i njëjtë në të gjithë botën. Dallimin e bëjnë personat që punojnë për këtë sport, si ata në federatë, nëpër ekipe dhe vetë lojtarët. Në çdo shtet që jam aktivizuar kam dëgjuar dhe janë shprehur pakënaqësi. Unë, si sportiste kudo që të aktivizohem do jap maksimumin tim çdo ditë që unë e ushtroj, çdo seancë që unë stërvitem. Kur them çdo ditë, çdo dite, me dhimbje pa dhimbje, me probleme pa probleme, dhe pavarësisht çdo lloj rrethane që mund të ndodhesh. Në sport nuk ekzistojnë justifikimet. Volejbolli në Shqipëri më vë në gjumë, si për nga niveli ashtu edhe nga vëmendja që ka.

Sapo keni mbyllur një sezon të suksesshëm në Norvegji me skuadrën e Stod Volley. Cilat janë planet e ardhshme?

Faktikisht sezoni si çdo vit tjetër ka qenë shumë i ngjeshur me ndeshje dhe turne saqë tani që ka mbaruar mendoj vetëm te relaksohem për pak kohë, edhe pse çdo ditë them me vete dua të filloj sepse më ka marr malli.  E quaj të suksesshëm përpos kampionatit dhe Ligës Nordike duke menduar paraqitjen në Kupat e Europës, arritja në final 4th të Challenge Cup për një ekip që sa është krijuar për t’u përfaqësuar në të tilla nivele. Sigurisht edhe për paraqitjen time pasi çdo ndeshje e kam shijuar në maksimum brenda fushës.

Fillimisht keni luajtur në Shqipëri ku edhe keni korrur sukseset e para. Vendimi për t’u larguar jashtë vendit ka qenë i menduar për një karrierë më të mirë, një ofertë më e mirë, apo ngaqë në vendin tonë është e vështirë që një sportist, sidomos femrat, e kanë të vështirë të shpalosin vlerat e tyre më të mira?

Nuk mendoj që ka të bëjë me gjininë në Shqipëri për të shpalosur vlerat, shikoj që këtu asnjë sport dhe asnjë sportist nuk ndihet i vlerësuar. Dhe më vjen edhe më keq kur paragjykohemi ne që aktivizohemi jashtë Shqipërisë.  Megjithatë zgjedhjet dhe vendimet janë për arsye të ndryshme. Unë sigurisht që e kisha menduar largimin nga Shqipëria, por për testuar veten time, nivelin tim, dhe sa e zonja do isha të përballoja çdo seance stërvitore në maksimum pa u ankuar. Ia dola në çdo ekip që kam qenë pjesë. Por vitet kalonin dhe niveli i volejbollit në Shqipëri zbriste edhe më poshtë dhe dëshira për t’u rikthyer zbehej. Pastaj sigurisht kur ti shikon se nga sezoni në sezon puna jote vlerësohet aq shumë, sigurisht që edhe ana ekonomike më mban larg kampionatit të Shqipërisë. Unë as që mund ta konceptoj sa mund të ishte pagesa që mund të merrja në Shqipëri me atë që marr momentalisht.  

Jeni rritur në një familje sportistësh. Motra jote më e madhe Amarilda vazhdon të lërë gjurmë në volejboll. Po ashtu edhe motra e vogël. Përveç fushës, volejbolli në familjen tuaj si përcillet mes jush?

Ne flasim çdo ditë për volejbollin, për sportin, prindërit tanë janë marr me sport. Mami me volejboll, babi me futboll, kemi xhaxhain në Kroaci që është trajner futbolli. Po ashtu djali i xhaxhait në Kroaci që sapo është bërë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21 në futboll,  Amarilda dhe Adelajda që luajnë akoma. Bashkëshorti i Adelajdës, Loriku është trajner volejbolli, kam Kolin që ka luajtur basketboll dhe sot është drejtori i Sport Klub Tirana. Kështu që mund ta imagjinoni vetë se si mund të jetë komunikimi në familjen time. (Qesh)

Cilin do të veçonit si suksesin tuaj më të madh në karrierë?

Suksesi im më i madh është disiplina, korrektësia dhe respekti që kam për volejbollin.

Po sezoni më i vështirë?

Çdo sezon ka të vështirën e saj, por do veçoja eksperiencën time në Amerikë, pasi ishte edhe e para. Nuk e kisha menduar që volejbolli në Amerikë ndryshonte me atë Europianin, nuk e kisha menduar që stërvitja fillonte që në 6:30 te mëngjesit dhe stërviteshim gati 7 orë në ditë. Në fillim sidomos e kisha shumë të vështirë sepse nuk e flisja mirë anglishten dhe mezi shpjegohesha dhe kishte raste që edhe më keqkuptonin. Ndihesha shumë keq, qaja shpesh. I kërkoja llogari trajnerit tim se përse nuk ishte treguar i saktë me mua të më shpjegonte sistemin amerikan. Gjithmonë merrja të njëjtën përgjigje: “Më kapte nga krahët, më shkundte edhe më thoshte – unë e di që ti do të ia dalësh, që je e fortë. Prandaj je këtu, kështu që fshi lotët, përvish mëngët edhe ik e bëj atë që ti do më së shumti në jetë”. Këto janë moment dhe fjalë që unë nuk i harroj kurrë.

Me optikën e një profesionisteje, si e shihni gjendjen aktuale të volejbollit në Shqipëri, ecuria dhe të ardhmen e këtij sporti?

Mos më për volejbollin këtu të lutem, se ka marrë fund. As nuk e di sesa ekipe janë dhe kush janë. Gjithsej 5 veta njoh.  

Mendoni ta mbyllni karrierën në vendlindje dhe pse jo të kontribuosh për një të ardhme më të mirë të volejbollit në Shqipëri, qoftë edhe në rang organizativ?

Për sa kohë të kem shëndet është shumë herët të mendoj për mbylljen e karrierës , momentalisht as qe e konceptoj atë hap. Volejbollit në Shqipëri i uroj më të mirën, veten time të përfshirë qoftë edhe në ndihmë të volejbollit nëse do të kem mundësi, pse jo. Unë e dua shumë volejbollin dhe nuk do të dëshiroja që të mos ekzistonte më në Shqipëri.

Ndalemi pak tek jeta juaj private. Prej 10 vitesh jeni lidhur me ish-basketbollistin Sokol Kasmi. A ju kujtohet takimi i parë dhe më tej sesi jeni njohur me njëri-tjetrin?

Sa shpejt që kalojnë vitet. (Qesh).  Sigurisht që mbaj mend çdo gjë, çdo ditë të njohjes tonë. Kaq… (Qesh)

Distanca larg njëri-tjetrit, ka qenë e vështirë për të mbajtur të njëjtat raportet si në Shqipëri?

Distanca ka vështirësitë e saj, ka shumë momente që do të dëshiroja ta kisha të pranishëm. Ne jemi përgatitur për këtë situatë që kur Koli ishte ai që u largua i pari për të luajtur në Mal të Zi vite përpara. Në fakt sot nuk është aq larg Mali Zi, në atë kohë unë nuk kisha makine që të mund të ikja ta takoja. Nuk mund të mungoja në shkollë apo në stërvitje, kështu që e vuaja mos-prezencën e tij. Megjithatë largësia e forcoi edhe më shumë dashurinë tonë. Kur u largova unë, u favorizuam nga heqja e vizave, kështu që Koli vinte shumë shpesh të qëndronte me mua. Ne takohemi thuajse çdo muaj dhe nuk e vuajmë shumë pjesën e distancës.

Sakaq, pas një karriere të gjatë si volejbolliste, a keni bërë plane të afërta për martesë?

Kemi disa vite që ëndërrojmë për martesën. Është e habitshme se çdo vit e kemi të afërt planin, por nuk e kuptojmë si dashje pa dashje e shikojmë veten të pamartuar. (Qesh). E rëndësishme është dashuria, martesën aty e kemi, do i vij dita. Së fundmi, mund të na përshkruani se cila është dita e zakonshme e Arjolës, një model i mirë për shumë vajza të reja shqiptare që synojnë të bëhen në të ardhmen volejbolliste. Tani unë kam dy ditë, atë kur jam gjatë sezonit dhe atë kur jam pas sezonit. Megjithatë të dyja janë shumë aktive. Atyre vajzave që duan të bëhen në të ardhmen volejbolliste, duhet të jenë shumë të qarta sa shumë e duan volejbollin dhe sa në gjendje do jenë për të sakrifikuar për volejbollin. Volejbolli nuk është vetëm një fushë, një rrjetë, një top në dorë dhe do luash. Është shumë më shumë.  Te dhuron emocion, kënaqësi, respekt për veten, dashuri për njerëzit, disiplinë për jetën, korrektësi për punën, shumë më shumë. Unë personalisht e shijoj në çdo sekondë.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?