Armenia shpall listën,Kapllani “thërret” De Biasin, Belgjika driblon Januzaj
Armenia, kundërshtari i radhës për Shqipërinë në eliminatoret Francë 2016, shpalli listën e 24 futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen e 29 marsit që do të luhet në “Elbasan Arena”. Asnjë surprizë në zgjedhjet e trajnerit Bernard Challandes pasi futbollistët e rëndësishëm janë në dispozicion të tij dhe do të udhëtojnë drejt Shqipërisë të premten e ardhshme. Ylli i këtij ekipi, Henrikh Mkhitarayn, 26-vjeçari nuk ka shfaqur formën e tij më të mirë gjatë kësaj periudhe me Borussia e Dortmundit, megjithatë ai do të jetë ai lojtari tek i cili do ta bazojë lojën e skuadrës së tij trajneri zviceran Bernard Challandes. Në listë, mes të grumbulluarve figuron edhe sulmuesi i Spartak Moskë, Yura Movsisyan i cili në 28 ndeshje me përfaqësuesen armene ka realizuar 9 gola. Përballë Shqipërisë kapiten i skuadrës do të jetë portieri i Dinamos së Moskës Roman Berezovsky, ndërsa emra të tjerë të njohur në listën e trajnerit Challandes janë edhe mesfushorët Gevorg Ghaazaryan, Marcos Pizzelli dhe Artem Symonyan. Ky i fundit luan në Zvicër te Zyrih bashkë me Burim Kukelin dhe Armando Sadikun. Pas tre ndeshjesh të zhvilluara në grupin I kualifikues të Euro 2016, Armenia ka grumbulluar vetëm 1 pikë dhe një fitore dhe në rast humbje pritet shkarkimi i trajnerit Challandes.
Anti-Armenia, Kapllani “thërret” De Biazin
Sulmuesi Edmond Kapllani shënoi në Bundesligën e dytë golin e barazimit, 1-1, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij FSV Frankfurt. Kapllani barazoi shifrat ndaj Sandhausen, në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 0-1 në favor të miqve. Me këtë gol ai po tregon se gëzon formë të mirë dhe pret ftesë nga Gianni de Biasi për ndeshjen e 29 marsit ndaj Armenisë. Futbollisti tjetër i kombëtares sonë,q ë luan me FSV Frankfurt, Odise Roshi, u aktivizua në këtë ndeshje 68 minuta. Në ndeshjen tjetër mes Mynih 1860 dhe Ahlen, që përfundoi me të njëjtin rezultat, 1-1, futbollisti tjetër kuqezi, Valdet Rama luajti titullar por u ndëshkua me karton të verdhë.
Belgjika “driblon” talentin Adnan Januzaj
Tekniku i Belgjikës Marc Vilmots ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës eleminatore për “Euro 2016″, kundër Qipros dhe Izraelit, por harroi të grumbullojë talentin me origjinë shqiptare, Adnan Januzaj, të cilin e pati edhe në Botëror “Brazil 2014” . – “Nuk kam dyshime për cilësitë e Januzaj, por kam fare pak mundësi ta shoh”, deklaroi Vilmots, pas shpalljes së listës së Belgjikës. – “Në atë pozicion kemi konkurrencë të fortë dhe thjesht më duhet të them se ai nuk është duke luajtur mjaftueshëm për momentin”, – vijoi më tej tekniku belg. Januzaj e refuzoi një vit më parë Shqipërinë, për të zgjedhur Belgjikën, por pasi u la në stol nga Djajtë e Kuq gjatë këtij sezoni, ai së fundmi është refuzuar edhe nga kombëtarja belge.
KOHA JONË SONDAZH

