Arrestohet presidenti i Fenerbahçe, rezultoi pozitiv me substanca narkotike
Presidenti i klubit sportiv Fenerbahçe, Sadettin Saran, është ndaluar nga autoritetet turke në kuadër të një hetimi të gjerë antidrogë që ka përfshirë edhe emra të njohur nga bota e mediave dhe spektaklit. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror TRT.
Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i Saranit erdhi pasi analizat forenzike të kryera mbi mostrat e flokëve të tij rezultuan pozitive për substanca narkotike. Ai i ka hedhur poshtë këto gjetje, duke deklaruar se nuk ka përdorur kurrë drogë dhe se do të kërkojë kryerjen e një testi të dytë zyrtar. Javën e kaluar, Saran ishte paraqitur pranë prokurorisë, ku kishte dhënë mostra gjaku dhe flokësh.
Hetimi zhvillohet nën drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit dhe, që nga fillimi i dhjetorit, ka çuar në arrestimin e mbi një duzine personash, mes tyre prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe influencues të rrjeteve sociale. Ata dyshohen për përfshirje në prodhim dhe trafik droge, si edhe për favore ndaj prostitucionit.
Sadettin Saran, i lindur në Denver dhe i zgjedhur president i Fenerbahçes në muajin shtator, është marrë në pyetje për akuza që lidhen me “furnizimin dhe nxitjen e përdorimit të lëndëve narkotike”.
Nga ana e tij, klubi Fenerbahçe ka reaguar me një deklaratë mbështetëse, duke theksuar se ka besim të plotë se presidenti i tij do ta përballojë këtë situatë me qetësi dhe forcë morale.
KOHA JONË SONDAZH

