Arrihet akordi mes Interit dhe PSG për transferimin e Icardit, ja shifra
Mauro Icardi do të vijojë që të mbetet në Paris. Inter dhe PSG janë shumë pranë një marrëveshje finale për transferimin përfundimtar të argjentinasit në “Parc de Prince”. Skuadra zikaltër duket se është dorëzuar, duke pranuar edhe ulje të vlerës së futbollistit.
60 milionë euro (55 milionë, plus 5 milionë bonuse), mund të jenë të mjaftueshme. Wanda Nara po diskuton me PSG dhe marrëveshja duket se është afër finalizimit edhe mes klubit e sulmuesit, i cili në sezonin e parë francez ka shënuar 21 gola.
Një kontratë 4-vjeçare prej 10 milionë euro në vit është gati për të. Njëlloj sa përfiton edhe Edinson Cavani, por ky i fundit pritet që të largohet këtë verë, tek Atletico Madrid ose Inter. Sa i përket Icardit nuk përjashtohet mundësia që ky i fundit të përfundojë edhe te Juventusi, pasi është përfolur për një marrëveshje të fshehtë me ekipin torinez. /R.Lika-Koha Jone/