Arrihet akordi, Reijnders është blerja më e re e Manchester City-it
Tijjani Reijnders në sezonin e ri nuk do të jetë më pjesë e Milanit. Mesfushori holandez, pas vetëm dy sezonesh me fanellën kuqezi, është gati të nisë një aventurë të re në Premier League, te kampionët e Anglisë, Manchester City.
Transferimi do të realizohet për një shifër totale që shkon deri në 70 milionë euro, përfshirë bonuset. Në Angli bëhet fjalë për 55 milionë euro si pagesë fikse dhe pjesa tjetër në formë bonusesh.
Pavarësisht sezonit të vështirë që kaloi Milani, Reijnders ishte një nga pikat e ndritura të skuadrës, duke regjistruar statistika mbresëlënëse: 15 gola dhe 5 asistime.
I blerë për 20.5 milionë euro nga AZ Alkmaar dy vite më parë, Reijnders pritet të bëhet lojtari më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë nga Milani, nëse përfshihen edhe bonuset. Aktualisht, rekordin e mban Ricardo Kakà, i cili në vitin 2009 u transferua te Real Madrid për 67 milionë euro, sipas të dhënave të Transfermarkt.
Holandezi mund të vihet menjëherë në dispozicion të Pep Guardiolës për Kupën e Botës për Klube. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

