Asambleja e FSHF-së Duka: Kombëtarja, simbol i bashkimit të shqiptarëve
Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme për vitin 2015 ku edhe analizoi punën e vitit 2014, miratoi ndryshimet në disa pika të neneve të statutit dhe disiplinës sportive, analizoi ecurinë e Komitetit të Arbitrave si dhe miratoi projekt buxhetin e vitit 2015. Në praninë e zyrtarëve të klubeve të të gjitha kategorive, përfaqësuesit të UEFA-s, Borislav Mihailov, zv/ministrit të Arsimit dhe Sporteve, Rauf Dimraj, dhe përfaqësuesve të botës së futbollit, kreu i Federatës së Futbollit, Armand Duka u ndal te ecuria e futbollit shqiptar gjatë vitit të kaluar. Sipas tij, gjatë 2014-ës ka pasur shumë arritje si në rezultate ashtu edhe në investime ku më i rëndësishmi është ai i rikonstruksionit të stadiumit të Elbasanit. Stadiumi i ri “Qemal Stafa” në Tiranë kërkon një investim të rëndësishëm që kap vlerën 50 milionë Euro, por gjatë muajve të ardhshëm Duka premtoi se do të nisë puna për realizimin edhe të këtij projekti, ashtu si edhe atë të rikonstruksionit të “Loro Boriçit” në Shkodër, që do të jetë një investim i përbashkët mes FSHF-së dhe Qeverisë Shqiptare. Rezultatet e arritura nga Kombëtarja Shqiptare dhe ajo çka përfaqësojnë kuqezinjtë janë edhe arritjet më të mëdha të futbollit për vitin që u la pas. – “Kombëtarja është bërë simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe kjo na bën të ndihemi krenarë,” – u shpreh Armand Duka, i cili më tej, u ndal në rritjen e nivelit të kampionateve në vendin tonë.
Kampionati
Ky sezon në Kategorinë Superiore ka afruar një rivalitet të ashpër mes katër ekipeve pretendente për titull, Skënderbeut, Kukësit, Partizanit e Tiranës. Por nisur nga ky rivalitetet ka pasur diskutime dhe pakënaqësi për fiksim të rezultateve nga disa ekipe dhe Tirana është skuadra që ka protestuar më fort në këtë drejtim, pasi e sheh veten disi më të penalizuar. Por edhe Skënderbeu ka ngritur zërin pëë gjykime të njëanshme, para se të ngjitej në krye të klasifikimit. -“FSHF ka mbuluar gjithë territorin me aktivitetet e saj. Jemi dëshmitarë të një prej kampionateve më të bukur në Superiore. Një fenomen negativ janë dyshimet për trukime prandaj duhet t’i themi ndal këtij fenomeni.”
Kombëtarja
Më tej kreu i FSHF-së u ndal edhe tek ndeshja problematike dhe me incidente që u zhvillua në Beograd mes Serbisë e Shqipërisë, ndeshje që u ndërpre në 41’. Dhe si të ishte Shqipëria organizatore e saj, UEFA ia dha rezultatin 3-0 në tavolinë ekipin vendas. – “Kam bindjen se e menaxhuam në mënyrën më të mirë atë që ndodhi në Serbi. Pavarësisht kritikave, ne kemi zbatuar rregullat duke mbrojtur simbolet tona kombëtare,” – theksoi Armad Duka. Asambleja e Përgjithshme për vitin 2015 miratoi unanimisht projekt/buxhetin e ri, mirënjohjen me titullin "Nderi i Kombit në Futboll" për dy figurat emblematike, Loro Boriçi e Panajot Pano, si dhe ndryshimet në nenet 13 dhe 20 të statutit të federatës si dhe ndryshimet në nenet 54, 65 dhe 135 të Komisionit të Disiplinës.
KOHA JONË SONDAZH

