Asani si Robben, shënon gol spektakolar në Champions League-n e Azisë (VIDEO)
Jasir Asani vazhdon të konfirmojë momentin e tij të artë, duke dhuruar sërish spektakël në arenën ndërkombëtare. Sulmuesi kuqezi ishte protagonist në Champions League-n e dytë aziatike, ku realizoi një gol të bukur në ndeshjen e javës së gjashtë të Grupit A ndaj Al-Muharraq, ekipit nga Bahreini.
Me një lëvizje karakteristike, tipike për stilin e tij dhe që kujton goditjet “alla Robben”, Asani u fut nga krahu dhe me një gjuajtje të saktë nga distanca dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e tretë për skuadrën iraniane Esteghlal.
Goli i tij vulosi një tjetër paraqitje pozitive për ekipin, që falë këtij rezultati ngjitet në vendin e dytë të Grupit A me 8 pikë, duke mbajtur gjallë objektivat për fazën pasuese.
Për Asanin, ky ishte goli i dytë personal në këtë edicion të Champions League aziatike, një tjetër dëshmi e rolit të rëndësishëm që ai po luan me fanellën e Esteghlal dhe e formës së shkëlqyer që po kalon në Azi.

KOHA JONË SONDAZH

