Asllani postim emocionues për Interin: Faleminderit që më dhatë mundësinë të bëja ëndrrën realitet!
I sapo-transferuar te Torino, Kristjan Asllani ka përshëndetur Interin pas tre sezoneve të kaluara në Milano. Në një postim emocional në Instagram, mesfushori i kombëtares shqiptare ndau dy foto domethënëse: një si fëmijë me fanellën zikaltër dhe një tjetër ku puthte titullin kampion të Italisë të ngritur dy sezone më parë.
“Asnjëherë nuk është e lehtë të gjesh fjalët e duhura për të thënë lamtumirë. Veshja e fanellës së Interit ka qenë një ëndërr që e ruaja që fëmijë, kur i shikoja këto ngjyra me admirim. Çdo herë që kam zbritur në fushë në San Siro kam ndier krenarinë dhe përgjegjësinë e përfaqësimit të një skuadre që do të mbetet gjithmonë pjesë e imja. Falënderoj Interin që më dha mundësinë ta bëja realitet këtë ëndërr.
Një falënderim i veçantë për shokët e skuadrës, që ishin jo vetëm kolegë por një familje e vërtetë, si edhe për të gjithë stafin që më ka mbështetur gjatë këtij rrugëtimi. Kam dhënë gjithmonë maksimumin me përkushtim, sakrificë dhe respekt. Lë Milanon, por Interi do të mbetet gjithmonë në zemrën time, sepse kur dashuron këto ngjyra që i vogël, nuk resht kurrë së mbajturi me vete”, shkroi Asllani në mesazhin e tij.
Pas përfundimit të aventurës në Milano, Asllani do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij me fanellën e Torinos, duke kërkuar të afirmohet edhe më shumë në Serie A.
View this post on Instagram
KOHA JONË SONDAZH

