Asnjë frakturë, Strakosha: Do rikthehemi të argëtojmë tifozët!
Portieri më i pamposhtur në Seria A po përgatitet për të marrë vendin e tij në prag të rifillimit të kampionatit. Thomas Strakosha po kryen një program fizioterapie përveç seancave në pishinë për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Një javë stërvitje e diferencuar përpara se të futet në ritmet e duhura. Problemet e ndjera në këmbë gjatë periudhës së stërvitjeve në shtëpi kanë rezultuar një dëmtim i lehtë duke shmangur një frakturë të mundshme.
Strakosha, që deri tani nuk ka humbur asnjë minutë në 26 javët e kampionatit, mezi pret rikthimin e Serie A. Vendi i dytë i Lazios, vetëm një pikë larg Juventus, lind edhe nga numri i golave të pësuar, vetëm 23. Rritja e 25-vjeçarit shqiptar është shfaqur edhe në planin e personalitetit. Portieri bardhekaltër u afirmua në skenën e futbollit italian nga Filipo Inzaghi në vitin 2016 që e njihte që nga moshat, është bërë tashmë një lideri i vërtetë për repartin mbrojtës, shkruan “Gazzetta dello Sport”.
“Nëse nuk ke motivimin e duhur kur je i dyti në klasifikim, do të thotë që ky sport nuk bën për ty …”, kështu është shprehur për mikrofonin e “Lazio Style” Strakosha, ku ka folur për motivimet gjatë ndalesës së kampionatit. Vëmendja e tij është te rifillimi i sezonit pas pandemisë së Covid-19.
“Nëse rikthehemi me mendjen aty ku e lamë, shpejt do të gjejmë ritmin e do të argëtojmë njerëzit. Në katër vjet jemi rritur bashkë nga ana e lojës, por edhe mentalitetit. Sezoni ynë ka ndryshuar pas ndeshjes me Atalantën (java e tetë, 19 tetor). Nga 0-3 kaluam në 3-3. Nga atëherë jemi bërë më të ndërgjegjshëm për kualitetin tonë”. E ardhmja duket bardhekaltër për Strakoshën, që shumë shpejt do të firmos rinovimin e kontratës deri më 2025.