Atletico përmbysje spektakolare ndaj Barcelonës, Derbi i Madridit në finalen e Superkupës (VIDEO)

Finalja e Superkupës së këtij edicioni në Spanjës do të jetë një finale mes dy skuadrave të Madridit. Atletico i është bashkuar Realit, teksa ka arritur një fitore spektakolare 3-2 ndaj Barcelonës në gjysmëfinalen e dytë. Pas një pjese të parë me pak emocione, por me shumë grint, fillimi i së dytë do të ishte i ndezur. Koke 18 sekonda pasi hyri në fushë arriti që ta dërgonte topin në rrjetë.

Kundërpërgjigja e Barcelonës ishte e menjëhershme me një gol të bukur të Messit me këmbën e djathtë. Sulmuesi argjentinas do të realizonte sërish, por mori topin me dorë në zonë dhe më pas e dërgoi në rrjetën e Oblak. Arbitri e anuloi pas pamjeve filmike në VAR.

Gjithsesi në minutën e 62-të, blaugranët do të realizonin me Griezmann, i cili shënon me kokë pas një pritje të Oblak ndaj Suarez. Atletico Madrid reagoi mjaft mirë duke përmbysur Barcelonën në harkun e 6 minutave. Në minutën e 80-të, skuadra e Simeones fitoi një penallti që do të kthehej në gol nga Alvaro Morata. 6 minuta më pas një kundërsulm i shpejt shfrytëzohet më së miri nga Correa, i cili shënoi përballë Netos. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP