Bale: Nuk duam të luajmë shumë shpejt, më parë të sigurohet shëndeti!
Periudha e izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit është e vështirë për të gjithë njerëzit dhe sidomos për futbollistët që gjatë kësaj periudhe nuk mund të stërviten në kushte normale. Gareth Bale, ylli i Realit të Madridit në një intervistë ka treguar se si ndihet gjatë kësaj periudhe izolimi në karantinë.
“Të gjithë e kuptojmë që këto që bëjmë janë sakrifica të nevojshme në mënyrë që kjo gjendje të kalojë dhe situata të përmirësohet sa më shpejt. Të gjithë dëshirojmë të zbresim sërish në fushë, por gjëja më e rëndësishme është ta bëjmë këtë në kushte të plota sigurie. Nuk duam të luajmë shumë shpejt, pasi më parë duhet të garantohet siguria për të zbritur në fushë.
Është e vërtetë që të gjithë fansat duan të jenë në stadium për të parë një ndeshje futbolli, por në këto momente i rëndësishëm është vetëm shëndeti pasi do të ketë plot sezone, kampionate e Kupa të tjera për ta bërë këtë. Shpresoj që në të ardhmen mos të përsëritet më e njëjta situatë”, deklaroi Gareth Bale.