Barazim i çmendur mes Barcelonës dhe Interit në “Camp Nou”, Liverpooli shënon 7 gola në Skoci
Barcelona dhe Inter dhurojnë një ndeshje magjike në “Camp Nou” duke barazuar në shifrat 3-3. Ishte një ndeshje e çmendur, e cila do të zhbllokohej nga Dembele në minutën e 40-të, po Nicolo Barella do të barazonte me fillimin e pjesës së dytë.
Në minutën e 63-të, Lautaro përmbysi gjithçka me një goditje të bukur në hyrje të zonës. Barcelona u zgjua sërish në fundin e ndeshjes me Lewandowskin që do të barazonte në minutën e 82-të, por Interi do të befasonte sërish me një kundërsulm të shpejt në fundin e kohës së rregullt duke shënuar golin e tretë me Gosens.
Emocionet nuk mbaruan këtu, pasi në kohën shtesë është sërish Lewandowski që shënon një super gol me një goditje me kokë. Asllani humbi një rast të artë në fundin e ndeshjes përballë portierit Ter Stegen, duke u ndalur nga portieri gjerman.
Liverpooli është treguar i pamëshirshëm ndaj Rangers, duke fituar në shifrat turpëruese 7-1. Edhe pse vendasit do të kalonin të parët në avantazh me Arfield, Firmino do të shënonte dy gola për të përmbysur gjithçka. Më pas Mohamed Salah do të shënonte 3 gola, një nga Nunez, dhe një nga Elliott.
Bayerni mori një fitore të thjeshtë 4-2 në transfertën ndaj Plzen, ndërkohë që Tottenham mundi 3-2 Frankfurtin.