Barazimi i parë pa gola në “Euro 2020”, Spanja ngec ndaj Suedisë (VIDEO)
Spanja nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim pa gola në duelin e parë kundër Suedisë. Skuadra e Enriques zhvilloi një lojë të dobët, duke krijuar shumë pak shanse, kryesisht në fraksionin e parë. Ndeshja nisi më mirë për Spanjën, që krijoi shansin e parë për shënim në minutën 17-të. Dani Olmo kishte mundësinë për të gjetur golin me kokë, port portieri Olsen i mohoi golin me një zgjatje fantastike. 5 minuta më pas Koke shpërdoroi një rast brenda zonës, duke goditur jashtë kuadratit. Skuadra e Enriques humbi edhe raste të tjera.
Alvaro Morata në të 38-tën, i vetëm përballë portierit e çoi sferën ngjitur me shtyllën. Suedia në krahun tjetër krijoi pak në 45 minutat e para, por në fakt kishte rastin më të pastër. Alexander Isak u ndal nga Llorente dhe shtylla, teksa nuk i besonte syve kur pa topin që nuk shkoi në rrjetë. Spanja nuk luan aspak mirë në fraksionin e dytë, duke shfaqur vështirësi të mëdha në krijimin e aksioneve.
As zëvendësimet nuk sollën asgjë. Në krahun tjetër Isak dhuron spektakël në zonë, shërben për Berg, i cili me portën e boshatisur, bën më të vështirën, duke e dërguar topin jashtë. Në minutën e 90-të, Robin Olsen ndal Gerard Morenon me një pritje të bukur. Kujtojmë që ky është barazimi i parë në këtë edicion të Evropianit. Në Grupin E udhëheq Sllovakia me 3 pikë, e ndjekur nga Suedia dhe Spanja me 1 pikë. /Rozalb Lika-Koha Jone/