Barcelona e ka me nxitim, kërkon të mbyllë këtë fundjavë blerjen e Pjanic

Barcelona duket se nuk ka kohë për të humbur në lidhje me ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Blaugranat kërkojnë të ndërhynë në ato reparte ku kanë më shumë nevojë. Lautaro Martinez mbetet objektivi primar në repartin e sulmit, por për të do të pritet rasti më i mirë, ndërkohë që synimi është afrimi i Miralem Pjanic.

Katalanasit kanë nevojë për më shumë eksperiencë dhe për këtë arsye janë gati të sakrifikojnë një talent 23-vjeçar si braziliani Arthur për një mesfushor 30-vjeçar. Boshnjaku është i përzgjedhuri i drejtuesve të Barçës për t’i dorëzuar çelësat e mesfushës dhe për këtë arsye blaugranat po nxitojnë për të firmosur me yllin e Juventusit. Klubi spanjoll kërkon ta mbyllë marrëveshjen që do të çojë Pjanic në “Camp Nou” deri në fund të kësaj jave dhe te Barcelona po bëjnë maksimumin për të bindur brazilianin Arthur të pranojë transferimin te kampionët e Italisë.

Ish-lojtari i Gremios do të përfshihet në tratativën që do të dërgojë Pjanic në Spanjë, pasi Arthur pëlqehet shumë edhe nga drejtori sportiv i bardhezinjve Fabio Paratici dhe trajneri Maurizio Sarri. Vlera e dy lojtarëve në merkato është e përafërt me Pjanic që në faqen e specializuar transfermarkt kushton 52 milionë euro, ndërsa Arthur Melo kushton 56 milionë euro.

SHKARKO APP