Barcelona gjen pasuesin e Dembele-s, Setien preferon një danez
Barcelona ka marrë zyrtarisht “ok” nga liga spanjolle për të transferuar një lojtar brenda muajit shkurt. Ky tolerim erdhi pas dëmtimit të Dembele, i cili do të mungojë për rreth 6 muaj, duke bërë që skuadra blaugrana të ketë të drejtën për të afruar një tjetër sulmues.
Opsioni i parë është sulmuesi i Getafes, Angel, për të cilin është arritur akordi në shifrën e 6 milionë euro, plus 2 bonuse. Bomberi i njohur ndërkohë kishte vendosur të mos festonte nëse do të shënonte ndaj katalanasve në “Camp Nou”.
Gjithsesi në orët e fundit është shtuar ndjeshëm interesimi për sulmuesin Braithwaite. Gazeta “Sport” ka rreshtuar edhe arsyet që mund të sjellin afrimin e këtij të fundit. Danezi është i aftë që të mbulojë disa pozicione dhe ka moshë më të re se Angel, i cili është 32 vjeç dhe nuk mund të garantojë kthimin e investimit që mund të bëhet për të. /R.Lika-Koha Jone/