Barcelona kërkon përforcime në mbrojtje, objektivi i parë është ylli i Interit
Barcelona ka vendosur një objektiv ambicioz për përforcimin e mbrojtjes në verën e ardhshme: Alessandro Bastoni. Sipas asaj që raporton Diario Sport, mbrojtësi qendror i Interit është futur në listën e ngushtë të klubit katalanas.
Megjithatë, operacioni paraqitet shumë i vështirë. Bastoni, i konsideruar ndër më të mirët në botë në rolin e tij, vlerësohet nga Interi rreth 80 milionë euro, një shifër që aktualisht e bën transferimin pothuajse të papërballueshëm për financat e Barcelonës. Pavarësisht kësaj, drejtuesit blaugrana nuk i kanë humbur plotësisht shpresat për një lëvizje të mundshme në të ardhmen.
Për verën e ardhshme, prioritet i Barcelonës është afrimi i një mbrojtësi qendror me këmbë të majtë. Edhe pse i riu Gerard Martin ka dhënë sinjale pozitive në ndeshjet e fundit, ai konsiderohet më shumë si një zgjidhje afatshkurtër. Qëllimi i klubit është të vendosë përkrah Pau Cubarsí një emër të nivelit të lartë, që të udhëheqë repartin defensiv.
Nevoja për përforcime është shtuar edhe për shkak të paqartësive që rrethojnë të ardhmen e Ronald Araújo. Nga ana tjetër, Bastoni duket i vendosur të vazhdojë aventurën me Interin, i cili po punon për zgjatjen e kontratës së tij, aktualisht e vlefshme deri në vitin 2028.
Sipas të njëjtit burim, në listën e dëshirave të Barcelonës janë edhe dy alternativa të tjera: Marc Guéhi i Crystal Palace dhe Niclas Schlotterbeck i Borussia Dortmund.
KOHA JONË SONDAZH

