Barcelona kurrë kaq pas 33 vitesh, Messi në sezonin më keq të karrierës

Një vend i 7-të i trishtë me 14 pikë në 10 ndeshje, me një bilanc prej 4 fitoresh, 2 barazimesh dhe 4 humbjesh. Për të gjetur një fillim të tillë në La Liga të Barcelonës duhet të kthehemi pas në sezonin e largët 1987-88, pra 33 vite më parë.

Një start që mund të quhej një falimentim nëse Barcelona nuk do ta kishte në perfeksion fazën e grupeve në Champions Leage, me pikë të plota. Të martën në Camp Nou zbarkon Juventusi që ka ende shanse që të kalojë në vendin e parë me një fitore me 3 gola diferencë. Një sukses që nuk duket i pamundur duke parë situatën e vështirë që po kalojnë katalanasit si dhe faktin që tashmë torinezët kanë në dispozicion edhe Ronaldon e De Ligt. Më në fund do të kemi një përballje mes portugezit dhe Messi.

Ky i fundit ndërkohë po kalon një nga sezonet më të këqija të karrierës. “Mundo Deportivo” në një analizë të publikuar për argjentinasin evidenton numrin e topave të humbur. Ndaj Cadiz ishte një rekord më vete, 29 gjatë gjithë ndeshjes. Kundër Real Madrid humbi 26, ndaj Alaves 27, ndërkohë që ndaj Atletico Madrid 23.

Nuk dihet ende se ky fakt lidhet me pozicionin e tij në fushë nga Koeman, por duket se “Pleshti” po e ndjen shumë peshën e viteve dhe faktin që nuk është më i lumtur me fanellën katalanase. Një pikat e tij të forta që është driblimi, është kthyer dhe nga pikat më të dobëta, shumë e lidhin me moshën 33-vjeç, por nuk janë të pakët dhe ata që mendojnë se ai më shumë e ka mendjen për t’u larguar. Messi dhe Barcelona për momentin kanë nevojë më shumë se kurrë për njëri-tjetrin, më pas rrugët e tyre duket se do të ndahen. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP