Barcelona piketon yllin e Atletico Madrid si zëvendësues të Lewandowskit
Barcelona po mendon seriozisht për pasuesin e Robert Lewandowskit dhe emri që ka dalë në krye të listës është ai i Julian Alvarez. Sulmuesi argjentinas është prej kohësh në radarët e katalanasve dhe interesimi për të nuk është i ri, madje daton që nga periudha para se ai të transferohej te Atletico Madrid.
Sipas së përditshmes Sport, drejtuesit e Barcelonës po studiojnë mundësinë për ta afruar Álvarez që në verën e ardhshme, megjithëse rruga drejt këtij operacioni mbetet e ndërlikuar. Së pari, Atletico nuk do të ishte i prirur të shesë një nga lojtarët kyç te një rival direkt për titullin. Së dyti, çmimi i kartonit përbën një pengesë serioze.
Edhe pse klauzola e vendosur në kontratën e argjentinasit është simbolike dhe arrin në 500 milionë euro, shifra reale për të bindur “Colchoneros” pritet të jetë rreth 100 milionë euro. Një investim i tillë do ta detyronte Barcelonën të kryente patjetër një largim të rëndësishëm për të balancuar financat.
Në këtë kontekst, largimi i Robert Lewandowskit mbetet një skenar i hapur. Sulmuesi polak është drejt fundit të kontratës dhe ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen. Një ndarje me të do t’i lehtësonte ndjeshëm katalanasit edhe në aspektin e pagës së lartë që ai përfiton aktualisht. Burime pranë klubit nuk e përjashtojnë mundësinë që operacioni Alvarez të marrë formë konkrete.
Një faktor jo i vogël mbetet edhe dëshira e vetë lojtarit. Julian Alvarez është një admirues i madh i Lionel Messit dhe i Barcelonës, ndërsa veshja e fanellës blaugrana thuhet se ka qenë një ëndërr e tij që në fëmijëri.
KOHA JONË SONDAZH

